Pensionet, skemë e re për përfitimet, mundësi për rritje

Shqipëria

Pensionet, skemë e re për përfitimet, mundësi për rritje

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 08:47
Ilustrim

Individët që nuk i kanë plotësuar vitet e përcaktuara të punës me kontribute mund të aplikojnë sigurimin vullnetar, në mënyrë që të marrin pension të plotë, apo mbi masën e parashikuar. “Shekulli” publikon manualin me kriteret që duhet të përmbushin të interesuarit për këtë lloj sigurimi, ku nuk favorizohen vetëm qytetarët shqiptarë që jetojnë këtu, por edhe emigrantët, të cilët prej vitesh e kanë lidhur jetën në vend të huaj.

Kriteret

Në skemën e sigurimit vullnetar përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe ende nuk u ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar. Ata që për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm, si dhe personat që janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre, mund të bëhen pjesë e kërkesës. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, edhe personat që nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi ose në rastet kur individi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare. “Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, është përfitues, sipas rastit, i: pensionit të plotë të pleqërisë, pensionit të pjesshëm të pleqërisë, pensionit të reduktuar të pleqërisë, pensionit të invaliditetit, pensionit të pjesshëm të invaliditetit”, thekson ISSH. Ndërkaq, në sigurimin vullnetar, sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, bën pjesë edhe pensioni familjar. Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar. Nëpërmjet sigurimit vullnetar mbulohen katër fusha të kësaj skeme që janë: sigurim vullnetar për vitin korrent, sigurim vullnetar për periudha të kaluara, sigurim vullnetar për më shumë të ardhura si dhe sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.

Sigurim vullnetar për vitin korrent

Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar për vitin korrent nga personi i interesuar është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa. “Kuota mujore e sigurimit vullnetar për vitin 2017 është 5 184 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 24 000 lekë x 21.6%. Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: – 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar); – 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar); – 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar)”, theksohet në manualin e ISSH-së. Gjithsesi, pagesat e vitit korrent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 5 184 lekë, deri në kufi të pagës maksimale.

Sigurim për periudhat e kaluara

Sigurimin vullnetar për periudhat e kaluara mund ta paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar si dhe shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha pasunivesitare është me pagesë. Ndërkohë, ky sigurim për periudhat e kaluara mund të bëhet edhe nga shtetasit shqiptarë, që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar si dhe personat që kanë lënë shtetësinë. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa. Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 5 184 lekë për një muaj sigurim vullnetar, por në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.

Degët e tjera të sigurimit

Sigurim vullnetar për degë të tjera sigurimi mund të bëjnë të vetëpunësuarit, që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm. Ky sigurim bëhet nga të vetëpunësuarit vetëm për vitin korrent. Periudha e përfitimit për paaftësi të përkohshme në punë fillon në ditën e 15 të raportit mjekësor dhe zgjat jo më shumë se 6 muaj nga data e fillimit të pagesës. Pagesat e kontributeve për këto degë bëhen sipas afateve të përcaktuara për pagesat e sigurimit të detyrueshëm (çdo tremujor), vetëm për vitin korrent.

Për më shumë të ardhura

Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura mund të paguajnë të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korrent në kufijtë e pagave minimale dhe maksimale, 24 000 dhe 105 850 lekë (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri). ISSH bën me dije se personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 24 000 lekë e mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e pagës maksimale 105 850 lekë. Ndërkohë, punëmarrësit që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin deri në nivelin e pagës maksimale 105 850 lekë. Çdo punëdhënës që sigurohet nën nivelin e pagës maksimale ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e kësaj page, ndërsa çdo kontribuues vullnetar për vitin korrent ka të drejtë të sigurohet për më shumë të ardhura.

Strategjia

Brenda mandatit, nuk ka rritje pagash për arsimtarët

Qeveria nuk ka asnjë plan për rritjen e pagave të mësuesve, duke i lënë ata në nivelin aktual të pagesave, të paktën deri në fund të mandatit. Sipas të dhënave të publikuara në strategjinë e zhvillimit të arsimit parauniversitar ajo që vihet re është se për dy vitet e ardhshme nuk ka shtim të fondit për pagat. Deri në vitin 2020 krahasuar me atë aktual, fondi për pagat parashikohet të rritet vetëm me rreth 1.2 milion lekë, një rritje kjo që nuk përkthehet në vlerësim page. Sipas shifrave të publikuara në strategjinë e zhvillimit të arsimit parauniversitar rritja varion nga 30.2 milionë në 2018 në 30.8 në 2019 dhe 31.4 milionë në 2020, çka do të thotë së arsimtarët duhet të presin deri në vitin 2021 për të përfituar paga më të larta. Për shkak të pagës së ulët prej rreth 45 mijë lekësh që marrin aktualisht mësuesit, shumë të rinj nuk e radhisin këtë profesion në preferencat e tyre kur aplikojnë për në universitete, dhe këtë e tregon numri i vogël i të diplomuarve në këtë degë. Cilësia po ashtu nuk është optimale gjë e cila ka detyruar ministrinë për një reformë në sistemin e edukimit. Aktualisht, në sistem janë 35 mijë mësues pagat e të cilëve këtë vit u rrit vetëm me 5%.

Prioritetet

Në strategji Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve parashikon që të vijojë masat e saj të integruara për mbështetjen e arsimit bazë, të mesëm dhe të lartë, orientimin e kurrikulave ndaj nevojave të tregut të punës dhe modernizimin e tyre, si edhe mbështetjen për trajnim dhe punësim të kategorive të veçanta. Për periudhën 2019–2021, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të financojë me prioritet: Transportin e 28–30 mijë nxënësve që kanë vendbanimi mbi 2 km nga shkolla, si dhe transportin e 10 mijë mësuesve që punojnë mbi 5 km nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës në shkollë; Blerjen e teksteve shkollore për rreth 190 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nga shtresat sociale në nevojë; Për 1000–1400 nxënës të arsimit parauniversitar nga shtresat sociale në nevojë do të garantohet trajtimi me kuotë ushqimore; Mbështetje e vazhdueshme për studentët, përmes mbulimit të shpenzimeve për bursat e studentëve nga shtresat sociale në nevojë, krijimit të kushteve të përshtatshme të akomodimit në tetë “Shoqëritë e trajtimit të studentëve në Tiranë dhe në rrethe” për rreth 8–10 mijë studentë, mbështetjes me bursa të rreth 100–120 studentë të rinj ekselentë që ndjekin studimet në 15 universitetet më të mira.

Hyrja në fakultet, publikohet rregullorja

Përgjatë 5 ditëve, respektivisht gjatë periudhës 30 korrik-4 gusht 2018, kandidatët që duan të ndjekin studimet në IAL, përfshirë edhe ata që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit do të aplikojnë në portalin U-Albania, nëpërmjet formularit online të aplikimit, mbi bazën e notës mesatare. Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit është botuar dje në Fletoren Zyrtare dhe aty parashikohen të gjitha hapat për të rinjtë që do ulen këtë vit në auditorët e fakulteteve. Për maturantët e vitit shkollor 2017-2018, të cilët kanë aplikuar me formularin A1, nga drejtoritë e institucioneve arsimore do të hidhen në portalin online të maturantit, të dhënat e lidhura me rezultatet e shkollimit të të gjitha viteve të arsimit të mesëm. Ndërkohë, për kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm, përpara vitit shkollor 2017-2018 si dhe për ata që kanë mbaruar arsimin e mesëm jashtë e që kanë aplikuar me formularin A1Z, rezultatet janë hedhur deri më 30 qershor 2018. “Përzgjedhja e programeve të ciklit të parë të studimeve, të programeve të studimeve me karakter profesional, si dhe programeve të integruara të studimeve të ciklit të dytë të ofruara nga IAL-të për vitin akademik 2018-2019, të bëhet në portalin e aplikimit universitar U-Albania.

Programet 2-vjeçare

Maturantët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare. Kandidatët zgjedhin deri në 10 (dhjetë) programe studimi nga lista e programeve të studimit, që ofrohen nga IAL-të publike/ jopublike, për vitin akademik 2018-2019.”,thuhet më tej në Fletoren Zyrtare. Të gjithë kandidatët duhet të dinë se portali U-Albania nuk do të pranojë aplikime nga ata, të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar me vendimin e Këshillit të Ministrave për programet e ciklit të parë të studimeve dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë. Në këtë raund të dytë dhe të fundit pranimesh do të ketë një fazë tjetër regjistrimesh, afatet dhe modalitetet e së cilës do të bëhen të ditura, jo më nga Ministria e Arsimit, por nga vetë universitetet. Maturantët fitues duhet të regjistrohen paraprakisht në programin e studimit, ku janë shpallur fitues, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve. Ndërkaq në bazë të regjistrimeve paraprake të kryera dhe të vendeve të paplotësuara, universitet do të shpallin në fund të gushtit listën përfundimtare të kandidatëve fitues, duke ruajtur parimin Meritë-Preferencë.

Gjobat në bashki

Policia Bashkiake e Tiranës ka vendosur në total 10.655 gjoba në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit, në gjysmën e parë të vitit ndaj qytetarëve që kanë shkelur ligjin dhe kanë dhunuar hapësirat publike. Referuar të dhënave zyrtare të bëra publike nga Bashkia e kryeqytetit, gjobat janë vendosur për shkelje të ndryshme si zënie të hapësirave publike; aktivitet pa leje; ndotje mjedisi etj.

Investimet e bankave

Investimet e sistemit bankar jashtë vendit janë ngadalësuar ndjeshëm. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, pretendimet ndaj jo rezidentëve në mesin e këtij viti kishin vlerën e 355 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, ky tregues është rritur në vlera modeste, me rreth 1.7%. Pjesërisht, rënia është ndikuar edhe nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit.

Interesat e ulëta

Kuponët e obligacioneve pësuan sërish rënie, duke thelluar tendencën e uljes së interesave të borxhit të instrumenteve të qeverisë shqiptare. Obligacionet me maturim dyvjeçar u emetuan me një kupon prej 2.15%. Ky është niveli më i ulët që regjistrohet që nga shtatori i vitit 2016. Në rënie rezultuan edhe obligacionet 5 vjeçare, që javën e kaluar u emetuan me një kupon prej 5.3%, nga 5.45% që kishte qenë në ankandin paraardhës.

Eficenca e energjisë

Eficenca e energjisë është një nga tematikat më të lakuara por ende me një përhapje modeste në Shqipëri ndërkohe që pjesa e burimeve të rinovueshme ka një bazë më të konsoliduar por ende të paplotë. Agjencia e Eficencës së Energjisë e krijuar vetëm pak kohë më parë është në prag të hartimit të një kuadri mbi parimet e operimit që do t’i mundësojnë asaj një planifikim koherent, të koordinuar dhe të integruar në politikat e qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat