Rritet eksporti i mallrave në Shqipëri

Shqipëria

Rritet eksporti i mallrave në Shqipëri

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 11:43
Foto ilustrim

Instituti i Statistikave në Shqipëri ka njoftuar se në muajin korrik, eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u rritur me 7,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0,2 %, në krahasim me muajin qershor.

Sipas institutit, në shtatëmujorin e parë të vitit 2018, eksportet e mallrave arritën vlerën 185 mld lekë, duke u rritur me 16,8 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 367 mld lekë, duke u rritur me 4,8 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 182 mld lekë, duke u ulur me 5,0 %, krahasuar me 2017.

“Rritja vjetore e eksporteve prej 7,9 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,8 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +1,1 pikë përqindje“. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Ushqime, pije, duhan” me -0,8 pikë përqindje. Eksportet, gjatë këtij shtatëmujori janë rritur me 16,8 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,5 pikë përqindje,“Tekstile dhe këpucë” me +3,5 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,02 pikë përqindje. Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të impor teve: Rritja vjetore e importeve prej 5,4 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,7 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +1,5 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +1,2 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,5 pikë përqindje”, thuhet në komunikatën e institutit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat