Analiza interesante e pedagogut të UET: Ja pse u tall me ne Ritvan Zykaj

Shqipëria

Analiza interesante e pedagogut të UET: Ja pse u tall me ne Ritvan Zykaj

Më: 18 gusht 2018 Në ora: 11:40
Ritvan Zykaj

Pas ngjarjes së rëndë në Selenicë të Vlorës, kanë vërshuar analizat për profilin psikologjik të Ritvan Zykajt. Megjithatë filozofi dhe pedagogu i UET, Klementin Mile sjell një këndvështrim ndryshe.

“Po pse ndodhi një masakër e tillë? Specialistët, si për shembull psikologët dhe sociologët, priren të japin përgjigje duke ia vënë fajin ekskluzivisht ose individit ose shoqërisë. Kur fajësojnë individin, ata e eliminojnë tërësisht situatën sociale, duke krijuar idenë se ky individ do e kishte kryer krimin në çdo situatë. Por, siç e dimë, Ritvan Zyka nuk kishte kryer ndonjë krim të tillë më parë. Nga ana tjetër, kur fajësojnë shoqërinë, specialistët e eliminojnë tërësisht qenien e individit specifik. Ata hedhin idenë se në të tilla kushte sociale secili prej nesh do të vepronte si Ritvani. Por as kjo nuk qëndron. Banorët e tjerë të fshatit Resulaj vazhdojnë të jetojnë paqësisht dhe relativisht në harmoni me njëri-tjetrin.

Specialistët nuk na ndihmojnë dot për ta kuptuar masakrën e fshatit Resulaj. Aq më pak janë në gjendje t’iu japin kuptim gjesteve tallëse të Ritvan Zykës ndaj nesh që i kërkuam të shfaqte virtytin e pendimit. Kjo ngjarje ka nevojë të interpretohet në mënyrë më esenciale, duke dalë përtej fakteve tek ajo çka i mundësoi ato në radhë të parë,” shkruan Mile.

“Filozofi grek Aristoteli është përfaqësuesi më i shquar i etikës së virtytit. Virtyti kuptohet si një gjë e mesme, e cila qëndron ndërmjet ekstremeve të teprisë dhe defektit. Veprimet e virtytshme janë ato që i përshtaten natyrës njerëzore, duke qenë se kryhen në përputhje me sundimin e arsyes. Këndvështrimi aristotelian dallon ontologjikisht zotat, njerëzit dhe kafshët. Te libri Politika Aristoteli tregoi se vendi i natyrshëm i njeriut në kozmos ishte polisi (qytet-shteti). Kushdo që është i paaftë të jetojë në polis, ose nuk ka nevojë të jetojë në polis duke qenë i vetëmjaftueshëm, duhet të jetë ose kafshë ose zot”. “Ritvan Zyka që u tall me ne, pasi ekzekutoi gjakftohtësisht 8 persona, mund të jetë produkt i teprisë ose defektit. Si në kohën e Aristotelit edhe në kohën tonë, ka rëndësi vendimtare mendimi ynë për veten dhe për pozicionin tonë në kozmos. Ritvani u tall me ne sepse i bëmë moral njerëzor, i kujtuam virtytin dhe forcën e ligjit, ndërkohë që ai kishte ikur prej kohësh në dimensionet jashtënjerëzore të kafshës ose zotit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat