Deeuroizimi i ekonomisë/ BSH analizon situatën por… asnjë rezultat, euro thellon dominimin

Shqipëria

Deeuroizimi i ekonomisë/ BSH analizon situatën por… asnjë rezultat, euro thellon dominimin

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 09:14
Foto ilustrim

Banka e Shqipërisë nisi këtë vit aplikimin e një pakete masash që synonin të dekurajonin përdorimin e euros fillimisht për depozita dhe kredi në banka, por treguesit e monitoruar deri në fund te qershorit 2018 tregojnë se nuk ka një përmirësim në sjelljen e konsumatorëve shqiptarë, përkundrazi depozitat dhe kreditë në euro janë rritur më tej

Vetë Banka e Shqipërisë në një analizë të posaçme këtë qëllim evidentoi se, bazuar në ecurinë e gjashtëmujorit të parë 2018, vërehet një rritje e lehtë peshës së depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave, nga niveli 52.3% në 53.2%.

Banka raporton se, niveli aktual i raportit të depozitave në valutë të sektorit privat, ndaj totalit të depozitave pranë sektorit bankar vijon të jetë dukshëm më i lartë se niveli mesatar i këtij raporti për vende me ekonomi të ngjashme si Shqipëria.

Gjithashtu portofoli i kredisë për sektorin privat ka njohur rritje të lehtë të peshës së kredisë në valutë. Në fund të qershorit 2018, kreditë në valutë ndaj totalit shënonin 57.2%, me rritje prej 0.6 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtë muaj më parë.

Megjithëse kredia e pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit ka njohur rënie gjatë periudhës, ajo vijon të ketë një peshë të konsiderueshme në portofolin e kredisë në valutë.

Image

Borxhi publik ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit, ku kontributin kryesor e ka dhënë rritja e borxhit në lekë. Kursi i këmbimit të lekut ndaj monedhave kryesore ka vijuar prirjen forcuese të periudhave të mëparshme, i pandikuar nga efekti i masave të deuroizimit. Ecuria e vlerave të treguesve dëshmon se masat nuk kanë pasur ndikim domethënës.

Banka e Shqipërisë vlerësoi se pavarësisht paketës së deuorizimit, sektori bankar shqiptar paraqet nivele të larta të euroizimit, që reflektojnë përdorimin e valutës në shkallë të gjerë në ekonominë vendase.

Për këtë arsye, Banka lajmëroi se mbështetur në Memorandumin e Bashkëpunimit, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, do të vijojnë aplikimin e masave për tregjet dhe instrumentet që mbikëqyrin respektivisht, me qëllim nxitjen e përdorimit sa më të gjerë të monedhës vendase në ekonominë shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat