Qeveria riparon autostradën Tiranë-Elbasan, merr një hua prej 16 mln dollarësh

Shqipëria

Qeveria riparon autostradën Tiranë-Elbasan, merr një hua prej 16 mln dollarësh

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 18:57
Vendimi i Këshillit të Ministrave

Qeveria shqiptare do të rikonstruktojë autostradën Tiranë-Elbasan. Për këtë është miratuar sot marrja e një huaje prej 16 mln dollarësh nga Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID). Marrëveshja hyn menjëherë në fuqi.

Autostrada Tiranë-Elbasan prej vitesh ka ngelur e papërfunduar, pavarsisht fondeve shtesë që janë dhënë për këtë aks. 

Prej afro një viti, autostrada funksion me korsi të bllokuar në zonën e Mamlës prej shembjes së masivit shkëmbor. Në dhjetorin e 2017-ës në këtë aks pati rrëshqitje të tokës dhe masivi shkëmbor.

Pak kohë më parë parlamenti miratoi një tjetër shtesë fondi për rrugën Tiranë-Elbasan, ku në atë kohë Ministër i Transporteve ishte Sokol Dervishaj. 

Në vitin 2013 përfundoi hapja e tunelit të Krrabës, por pas kësaj ndërhyrjeje përfundimi i punimeve është shtyrë disa herë, pavarësisht fondeve shtesë.

Për autostradën Tiranë-Elbasan e nisur më 2008 dhe ende të papërfunduar, janë arrestuar dhe akuzuar disa zyrtarë se kanë abuzuar me fondet shtetërore. Pak muaj më parë u arrestua ish-kreu i ARRSH, Dashamir Xhika, ndërsa janë marrë në pyetje dhe dy ish-ministra të Transporteve Haxhinasto dhe Dervishaj. 

Albes Alite, ish-drejtori menaxhimit të projektit në autostradën Tiranë-Elbasan do të vazhdojë të mbetet në burg edhe pas kërkesës se gjendja e tij shëndetësore është e papërshtatshme për të qëndruar në qeli.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT OPEC PËR ZHVILLIM NDËRKOMBËTAR (OFID), PËR PROJEKTIN E PUNIMEVE PËR RIPARIME EMERGJENTE TË AUTOSTRADËS TIRANË-ELBASAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), për projektin e punimeve për riparime emergjente të autostradës Tiranë-Elbasan, në shumën prej 16 000 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë) USD-sh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat