Kokëdhima: Pa reformë zgjedhore, s’ka negociata me BE-në

Shqipëria

Kokëdhima: Pa reformë zgjedhore, s’ka negociata me BE-në

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 11:29
Koço Kokëdhima

Reagimi i kryetarit të partisë ZGJIDHJA pas intervistës së deputetit gjerman Krichbaum

Kreu i Komisionit për BE-në në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum, deklaroi se sheh pak përparim sa u takon kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë për çeljen e negociatave me BE-në. “Negociatat mund të fillojnë vetëm pasi Shqipëria të ketë kryer reformat e nevojshme. Këtu duhet të përmendim krahas verifikimit të plotë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, edhe Reformën Zgjedhore, e cila është po aq e rëndësishme edhe për OSBE-në. Nëse zgjedhjet vendore të vitit 2019 do të zhvillohen sipas ligjit të vjetër zgjedhor, nuk shoh ndonjë shans real për hapjen e negociatave për anëtarësim në 2019”.

ZGJIDHJA e falenderon deputetin gjerman për qëndrimin pa ekuivok për një reformë të vërtetë zgjedhore në Shqipëri. 

Qeveria shqiptare nuk mund të shmanget nga kushtet e vëna nga vendet anëtare të BE-së që të marrë miratimin për hapjen e negociatave qershorin e ardhshëm. Rilindja dhe SHQUP-i duan ta bëjnë këtë reformë sa për sy e faqe, që të ruajnë dominimin e tyre politik mbi procesin zgjedhor.

Kryetari i Kuvendit deklaroi se reforma zgjedhore është parashikuar në axhendën parlamentare. Por axhenda e partive të vjetra është e mbrapshtë. Ato duan të shesin ca retushime në ligjin zgjedhor si reformë për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Ato janë marrë vesh të mos e ndryshojnë Kodin Zgjedhor.

ZGJIDHJA apelon gazetarët dhe mediat e Shqipërisë, inteligjencën, partit? e reja, qytetarët e përgjegjshëm dhe përfaqësuesit e tjerë të vendeve mike që të reagojnë në bllok dhe të diktojnë një reformë zgjedhore të vërtetë dhe gjithëpërfshirëse. Vetëm kështu Shqipëria do të shpëtojë nga thonjtë e partive të vjetra. Vetëm atëhere vendi do të vijojë rrugën drejt BE-së. 
Rama, Berisha e të tjerë kanë sakrifikuar interesat e larta të kombit tonë dhe perspektivën europiane të Shqipërisë duke shkatërruar zgjedhjet e lira e të barabarta dhe themelet e shtetit shqiptar. Ata nuk mund t’i reformojnë zgjedhjet sepse kur të reformohen zgjedhjet shqiptare ata do të shkojnë nëpër burgje. Do të përgjigjen përpara drejtësisë. Reformimi i vërtetë i zgjedhjeve tona do të ndodhë vetëm me imponim, me pahir, me forcë ose me presionin e koordinuar të të gjithë faktorëve të brendshëm e të jashtëm. Është koha për reagim. 
#ZgjidhjaPërShqipërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat