Te “Pema e thatë”, potenciali turistik i plazhit dikur simbol terrori

Shqipëria

Te “Pema e thatë”, potenciali turistik i plazhit dikur simbol terrori

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 23:13
Plazhi që sot njihet me emrin Pema e Thatë dikur ishte një simbol terrori dhe frike kolektive për banorët e Ksamilit.

Pika më e afërt mes bregdetit shqiptar dhe atij grek, plazhi që sot njihet me emrin Pema e Thatë dikur ishte një simbol terrori dhe frike kolektive për banorët e Ksamilit.

Posta kufitare dhe pika e vrojtimit mbikëqyrte tentativat e arratisjes nga Shqipëria drejt Korfuzit dhe botës së lirë. Në këtë breg me dhjetëra njerëz humbën jetën dikur, gjatë përpjekjeve për t’u larguar nga diktatura. Teme Llanaj 77 vjeç ish ushtarak thotë se bregu i fortifikuar ka ndryshuar shumë. Vendi i është përshtatur nevojës për turizëm dhe shërbime turistike.

Por përtej turizmit, Hasan Dervishi nga Gostivari tregon se vizitorët nuk dinë asgjë për të kaluarën e këtij vendi, por kurioziteti është i lartë. Dervishi thotë se çmimet dhe shërbimet janë të mira në vende të izoluara dhe larg zhurmës. Turistët, sipas tij gjithnjë e më shumë po eksplorojnë brigje të vetmuara dhe pa shumë fluks.

Edhe Ramadani nga Prishtina e ka zgjedhur Ksamilin dhe Pemën e Thatë për qetësinë dhe pastërtinë e ujërave, por shpjegon se nuk dinë asgjë për të kaluarën historike të këtij vendi.

Vizitorët në plazhet e Jugut po shënojnë fluks më të reduktuar këtë fillim shtatori. Plazhet e Ksamilit dhe Sarandës po frekuentohen nga vizitorë nga veriu i Europës, por edhe nga trojet shqiptare. Ekspertët e turizmit vlerësojnë se i gjithë bregu ka destinacione me potencial të lartë turistik ende të paeksploruara siç është ky destinacion i harruar i Luftës së Ftohtë.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat