Lufta kundër krimit, Gjonaj e Marku takohen me prokurorin e Antimafias italiane

Shqipëria

Lufta kundër krimit, Gjonaj e Marku takohen me prokurorin e Antimafias italiane

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 20:56
Pamje nga takimi në Romë

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku janë pritur sot në një takim zyrtar në Romë nga Kryeprokurori i Drejtorisë Kombëtare kundër Mafias dhe Terrorizmit, z.Federico Cafiero de Raho.

Në këtë takim, pjesë e vizitës dyditore të ministres Gjonaj dhe kryeprokurores Marku në Itali, merrnin pjesë edhe Ministri italian i Drejtësisë, z.Alfonso Bonafede, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, znj. Donika Prela, drejtues të misionit PAMECA si dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.

Forcimi i bashkëpunimit për hetimin e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, përmes shkëmbimit reciprok të informacionit dhe dhënies së ekspertizës nga pala italiane ka qenë në qendër të diskutimeve midis dy delegacioneve.

Ministrja e Drejtësisë, ka theksuar se lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet absolut i qeverisë shqiptare, e cila është angazhuar me të gjitha kapacitet e saj në këtë sfidë.

Sipas ministres, ngritja e institucioneve të reja si Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi, do të krijojë kushtet e duhura për ndjekjen dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kallëzimeve penale në nivelet e larta të politikës dhe administratës publike.

Ministrja Gjonaj është ndalur në masat që ka marrë Qeveria për marrëveshjen e bashkëpunimit me EUROJUST, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti. Nënshkrimi dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje do t’i japë një tjetër impuls luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkombëtar.

Ministrja Gjonaj e siguroi Kryeprokurorin Antimafia, De Raho për angazhimin e institucioneve ligjzbatuese shqiptare në thellimin e bashkëpunimit, me synim bërjen efektive dhe me rezultate më të shpejta në hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në Itali dhe Shqipëri, përmes skuadrave të përbashkëta hetimore.

Nga ana e tij Kryeprokurori i Antimafias italiane ka falënderuar ministren Gjonaj dhe Kryeprokuroren Marku për dhënien e një tjetër dimensioni të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar. “Midis dy vendeve tona ekziston një sintoni e plotë në luftën kundër krimit të organizuar, të cilën duhet ta çojmë më tej”, ka thënë z. De Raho. Ai ka shprehur vlerësimet më të mira për bashkëpunimin dhe impulsin maksimal që Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, secila në rolin e vet, kanë dhënë në luftën kundër krimit të organizuar. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat