"Demokracia nuk pret" me një promovim në Tiranë

Shqipëria

"Demokracia nuk pret" me një promovim në Tiranë

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 22:01
Nga ceremonia në Tiranë

Sot u përurua me një ceremoni në Tiranë, libri i ri gazetarit dhe ish-drejtuesit të “Zërit të Amerikës”, Frank Shkreli me titull “Demokracia nuk pret”.

Tubimi ishte një rast për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në rajon, mbi demokracinë dhe tranzicionin shqiptar.

Gazetari e ish-drejtuesi i njohur i “Zërit të Amerikës” në shqip dhe divizionin e Euro-Azisë, Frank Shkreli përuroi sot në Tiranë, së bashku me botuesit e tij të gazetës “Telegraf” librin e tij në 3 vëllime “Demokracia nuk pret”.

Libri i tij përfshin një pjesë të shkrimeve të tij, që botohen rregullisht në gazetën “Telegraf”, ku ai është analist i përhershëm.

“Për ne si redaksi është një fat shumë i madh dhe një privilegj shumë i madh ë kemi një bashkëpunim gati 10 vjeçar me këtë njeri të mirë e të urtë. Gjithë bashkëpuniemt me të janë pasqyruar tek 3 vëllimet e sapobotuara” - tha Agim Çiraku, botues i gazetës TELEGRAF.

Libri përmban një mori ngjarjesh e temash që shqetësojnë shqiptarët në Ballkan mbi lirinë e demokracinë, tranzicionin dhe korrupsionin, si dhe ndikimin ruso-turk në rajon.

“Jam munduar të jap alarmin për shtimin në rritje e sipër dhe përhapjes së influencës së Rusisë dhe Turqisë në trojet shqiptare. Në mënyrën time kam paralajmëruar edhe mbi rrezikun e flirtimit të autoriteteve të larta shqiptare me udhëheqësit autoritarë të këtyre vendeve si diçka që nuk është në interesin afatgjatë të kombit shqiptar” - tha autori i librit Frank Shkreli në tubim.

Simon Miraka, i dënuari politik i regjimit komunist, foli sot plot emocione në ceremoninë e përurimit të librit “Demokracia nuk pret” të gazetarit dhe ish-drejtuesit të njohur të “Zërit të Amerikës”, Frank Shkreli.

“Zëri i këtyre djemve te “Zëri i Amerikës” ishte zëri që na jepte pak dritë e shumë shpresë në atë pus të errët ku na kishte zhytur diktatura komuniste, apo si thotë autori Shkreli , “një popull i zënë rob”. Unë besoj se “Zëri i Amerikës” në ato vite ishte zëri i shpresës jo vetëm për ne, por për të gjithë ata që ëndërronin një Shqipëri të lirë e demokratike” – tha zoti Miraka.

Në tubim mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili theksoi ndihmesën, që dhanë për lirinë dhe demokracinë shqiptare figurat e njohura të diasporës shqiptare në SHBA për ruajten e identitetit kombëtar.

“Vepra e zotit Shkreli është edhe një shkundje për të gjithë ne, për rëndësinë që ka demokracia. Ajo nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë, ajo duhet ruajtur, duhet mbrojtur, duhet zhvilluar sipas standarteve më të avancuara ashtu si e meriton si yni, i cili ka vuajtur shumë nga mungesa e demoracisë” - tha zoti Meta.

Botimin “Demokracia nuk pret” të zotit Frank Shkreli e përshëndeti me një shkrim të posaçëm edhe profesor Sami Repishti nga SHBA, së bashku me vlerësimet për autorin. Ndërsa shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj, krahas origjinalitetit në trajtimin e temave, vlerësoi vecanërisht pasurinë dhe pastërtinë e gjuhës shqipe në librat dhe shkrimet e zotit Shkreli.

“Gjuha e Frank Shkrelit është shumë e pastër nga fjalët e huaja se sa shumë nga gazetarët që kanë lindur, shkolluar, jetojnë e punojnë në Shqipëri. Ky është një shembull për të gjithë ne” - tha zoti Mustafaj.

Zoti Shkreli ka qenë edhe Kryetar i Komitetit Amerikano - Shqiptar, e për disa dekada ka punuar si gazetar e drejtues në “Zërin e Amerikës” dhe detyra të tjera zyrtare.

“Gjithë së bashku mundet dhe duhet të bashkëpunojmë, duke zhvilluar një dialog më njerëzor, më qytetar, sidomos në radhët e partive politike. Na duhet një bashkëpunim më i mirë midis Kosovës dhe Shqipërisë edhe trojeve të tjera shqiptare për të mirën e shqiptarëve. Janë shumë gjëra që mund të bëhen pa kurrfarë problemi, pa asnjë kosto apo shpenzimesh. Jam optimist se një brez i ri do të bëjë akoma edhe më shumë përparime në këtë drejtim” - tha zoti Shkreli.

Autori Frank Shkreli u vlerësua sot edhe për ndihmesën e madhe që ka dhënë për të informuar rajonin me lajme të besueshme, me pikëpamjet e SHBA-ve dhe për të nxitur demokracinë përmes fjalës së lirë qysh nga kohërat e egra të diktaturës komuniste deri sot 3 dekada në tranzicion e demokraci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat