Vdekja e foshnjës, flet mjekja në Durrës: Kur lindi vumë re se kishte kocka të thyera!

Shqipëria

Vdekja e foshnjës, flet mjekja në Durrës: Kur lindi vumë re se kishte kocka të thyera!

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 20:35
Ilustrim

Mbrëmjen e së matës një foshnje vetëm 4 ditëshe humbi jetën në spitalin e Durrësit, e për vdekjen e të porsalindurit prindërit akuzuan mjekët për pakujdesi këtë të mërkurë, duke bërë dhe një kallëzim penal.

Pak orë më tutje, njëra nga mjeket e spitalit ka folur gjerësisht për rastin duke dhënë një sërë detajesh për lindjen e të miturit. Dhurata Beshello ishte mjekja që priti lindjen e fëmijës dhe është shprehur se që në lindje në trupin e tij u konstatuan thyerje të kockave, një anomali e rrallë për të cilën mjekja u shpreh se do të presë analizën mjeko- shkencore.

Mjekja shtoi gjithashtu se lindja është kryer me operacion. Që në momentet kur fëmija ka lindur, parametrat e tij shëndetësorë kanë qenë të ulët.

Për më tepër lexoni rrëfimin e plotë të mjekes për median:

 Është kontradiktore që populli na vlerëson dhe populli edhe na kundërshton apo sulmon. Përpara katër ditësh ka lindur një fëmijë lindje me operacion. Lindi një fëmijë i lodhur, nuk qau në momentin e lindjes megjithë reanimimin e mundshëm me të gjitha mjetet që ne kemi në dispozicion, ekipi i neanotolo-gjisë, jam mjekja që prita fëmijën. Ne u përpoqëm shumë, reanimimi vazhdoi gjatë, por edhe pas gjysmë ore fëmija nuk dha asnjë shenjë. Në momentin e lindjes kishte vetëm rrahje zemre dhe pas reanimimit duke i dhënë oksigjen, i dhamë një ngjyrë rozë. Problemet do t'i shqyrtojmë një nga një.

Gjendja vijoi e tillë edhe pse e futëm në një repart më të avancuar, ai përsëri mbeti në atë gjendje. Në ditën e tretë u hoq ky aparat, u duk sikur fëmija e toleroi lehtësisht oksigjenin dhe u vu në mënyrë tjetër, por filloi të shfaqë probleme të tjera si kontraktura si pasojë e vuajtjes së trurit ëpr shkak të oksigjenit të limituar. Me të gjitha mundësitë, jemi konsultuar edhe më mjekët e maternitetit të Gjinekologjisë së "Mbretëreshës Geraldinë" dhe rezultoi që të gjitha i ishin bërë në mënyrë të rregullt. Gjendja sa vinte dhe rëndohej.

Në ditën e katërt, në orë 8 thirrem nga personeli dhe ngjitem lart, në atë moment fëmija ndërroi jetë. Janë bërë analiza, nuk kishte hemorragji në tru. Gjatë ekzaminimit është konstatuar se fëmija kishte edhe fraktura, thyerje të kockave. Natyrisht, edhe ne nuk jemi të gabueshëm e mund të vërtetohet diccka që nuk e kemi bërë, por unë kam qenë nga fillimi e deri në fund. Të gjithë mjekët ishin në të njëjtin mendim për problemet që bebi kishte kaluar. Ne po presim të dalë ekspertiza. 

Reagimi i spitalit:

Duke shprehur ngushëllimet familjarëve për humbjen e fëmijës së tyre, drejtoria e spitalit rajonal të Durrësit sqaron opinionin publik, në lidhje me lajmin e publikuar në media për “mosveprim të mjekëve në rastin e humbjes së jetës së një foshnje të porsalindur” si vijon:

Pacientja V.G. u paraqit në spital më datë 07.09.2018 në orën 08.00, gravidance 39 javë, paraqitje podalike dhe menjëherë u krye ndërhyrja sectio caesarea segmentare.
Pacientja është asistuar me profesionalizëm gjatë lindjes dhe foshnja u reanimua në sallën e operacionit dhe më pas në repartin e terapisë intensive, në mënyrë kosultative.

Sipas mjekut operator, ekstraksioni i fetusit paraqiti vështirësi dhe u vu re gjatë lindjes frakturë femorale dhe humerale, vërtetuar dhe me grafi.
Stafi mjekësor ka dhënë trajtimin maksimal, në konsultë me ortopedët dhe shërbimin terciar, por fatkeqësisht fëmija ka qenë në gjendje të rëndë dhe nuk ka arritur të mbijetojë, duke ndërruar jetë më datë 11.09.2018.
Sipas mjekëve, foshnja dyshohet të ketë patur një sëmundje të rrallë gjenetike, anomali skeletike kongenitale, që mund të vlerësohet nga autopsia.
Aktualisht është kryer autopsia dhe priten rezultatet e ekspertizës mjeko-logjore për shkakun e vdekjes së foshnjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat