Vjen Idrizi, ikën Dule? PBDNJ diskuton daljen nga koalicioni me PD

Shqipëria

Vjen Idrizi, ikën Dule? PBDNJ diskuton daljen nga koalicioni me PD

Më: 14 shtator 2018 Në ora: 17:35
Shpëtim Idrizi, Lulzim Basha dhe Vangjel Dule

Afrimi i PDIU-së së Shpëtim Idrizit me koalicionin opozitar të drejtuar nga Lulzim Basha nuk është pëlqyer nga kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Burime nga kjo forcë politike bëjnë me dije se Dule, që përfaqëson edhe minoritetin grek, po mendon ndërprerjen e bashkëpunimit politik me Bashën.

Të njëjtat burime nga PBDNJ i thanë Top Channel se një gjë e tillë është diskutuar edhe në një mbledhje të Kryesisë së kësaj force politike, ditën e enjte, menjëherë pasi Basha i hapi dyert çamëve të PDIU-së që drejtohen nga Idrizi.

Gjithçka do të vendoset nga qasja që kryedemokrati Basha do të ketë ndaj Idrizit.

Një pritje e tij me krahë të hapura ka shumë gjasa që të largojë PBDNJ-në, njësoj siç ndodhi kur Rama – pasi erdhi në pushtet në vitin 2013 me Vangjel Dule aleat – afroi në koalicion Shpëtim Idrizin.

Atëherë kjo lëvizje solli reagimin e Dules që doli nga koalicioni i majtë duke iu bashkuar më pas Lulzim Bashës.

Lëvizjet e reja në skenën politike bënë që në zyrën e kryedemokratit të trokiste të premten vetë kreu i PBDNJ-së për të qartësuar pozicionet. Por për sa kohë aleanca e re PD-PDIU ende nuk është zyrtare, Dule u tregua evaziv në deklarata, duke ia lënë kohës një qëndrim përfundimtar.

“Flasim për një axhende politike aktuale, jo për hamendësime. PBDNJ është një parti që ka prioritetet e veta. Për aq kohë sa prioritetet e veta kryesore janë në afinitet me një forcë tjetër politike, natyrisht që vazhdon bashkëpunimi. Që nga momenti që nuk ekziston kjo bazë e realitetit të zhvillimeve politike, atëherë mungojnë premisat për një gjë të tillë”, u shpreh Dule.

Brenda kësaj jave kryedemokrati Basha pritet të mbyllë një takim edhe rivalin e Dules, Shpëtim Idrizin. Në rast se minoritarët largohen, opozita do të humbasë një deputet, ndërsa afrimi i çamëve të Idrizit nuk i sjell asnjë favor në sallën e Parlamentit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat