Matteo Salvini “falënderon” sërish Shqipërinë për 20 emigrantët

Shqipëria

Matteo Salvini “falënderon” sërish Shqipërinë për 20 emigrantët

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 13:02
Konferenca e Austrisë

Konferenca e Austrisë për çështjet e refugjatëve mblodhi të gjithë ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian, në të cilën u diskutua për të ardhmen e refugjatëve. I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe Komisioneri i BE-së për Çështjet e Brendshme dhe Imigracionin, Dimitris Avramopoulos

Takimi i djeshëm në Austri, mes ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, është shoqëruar me debate të forta. Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, ka qenë më i ashpër në kritikat e tij ndaj Bashkimit Evropian. Gjatë komunikimit të tij me mediat ndërkombëtare, përpara se të fillonte konferenca, Salvini theksoi se: “Ne këtu flasim për solidaritet, por këtu nuk ka solidaritet”. Më pas ai përdori përsëri retorikën e para disa javëve, kur falënderoi Shqipërinë, të cilët pranuan emigrantët nga Eritrea, të ngecur në portin e Cattanias, për afro 5 ditë. Ai theksoi se: “Është mirë dhe këndshëm të dëgjosh për solidaritetin këtu dhe shpërndarjen e këtij solidariteti, por ky nuk është reflektuar në fakte”, theksoi Salvini gjatë Samitit në Austri. Më pas Salvini falënderoi Shqipërinë duke thënë se: “Për sa i përket kësaj çështje, unë dua të falënderoj Shqipërinë për ndihmën e dhënë ndaj Italisë. Kjo ndihmë ishte më e shpejtë se të tjerët”, theksoi Salvini. Në po të njëjtën mënyrë Salvini kritikoi qeverinë e Maltës, për neglizhencën ndaj anijes së refugjatëve, e cila ishte ankoruar në portin e Maltës. Madje komentet e tij, Salvini i shoqëroi edhe anë të një diçiture. Salvini në një koment për rrjetin social Twitter, theksoi se: “Ne kemi kontaktuar autoritetet e Maltës që të bëjnë detyrën e tyre dhe do të bëjmë ç’është e mundur për të ndaluar zbarkimin e emigrantëve ilegalë në Itali”.

Jean Asselborn: Salvini ka shkuar shumë larg

Një përplasje në dukje të ashpër, pati edhe midis Ministrit të Punëve të Jashtme të Luksenburgut, Jean Asselborn dhe Matteo Salvinit. Atij nuk i pëlqyen komentet e bërë nga ana e Salvinit, pasi emigrantët nga Afrika i krahasoi me skllevërit e dikurshëm. Salvini, i cili udhëheq partinë “Lega Nord”, i bëri komentet në një sesion me dyer të mbyllura të konferencës për migracionin dhe sigurinë, e organizuar nga Austria, e cila mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Ai deklaroi se: “Kam dëgjuar dikë të thotë se kemi nevojë për emigrantë, sepse popullsia po plaket. Unë i shoh gjërat krejtësisht ndryshe”, tha Salvini në vërejtjet e filmuara nga seanca dhe të postuara në profilin e tij në Facebook. “Unë paguhem nga qytetarët që t’i ndihmoj të rinjtë tanë të fillojnë të kenë prapë fëmijë ashtu siç kanë pasur disa vite më parë dhe jo të çrrënjosim më të mirën e rinisë afrikane për të zëvendësuar evropianët që nuk kanë fëmijë. Ndoshta në Luksemburg kjo është e nevojshme. Në Itali është e nevojshme që të ndihmohen fëmijët tanë të kenë fëmijë, jo të kemi skllevër të rinj për t’i zëvendësuar fëmijët që nuk i kemi”, tha Salvini. Ministri për Punë të Jashtme dhe Migracionin i Luksemburgut, Jean Asselborn, reagoi me zemërim duke thënë se, “Salvini ka shkuar shumë larg. Në Luksemburg, ne kemi pasur dhjetëra emigrantë italianë. Ata vinin për të punuar në Luksemburg, në mënyrë që ju në Itali të kishit para për fëmijët tuaj”, tha Asselborn. Italia është destinacioni kryesor për emigrantët të cilët duan të arrijnë Evropën nga Afrika e Veriut. Qeveria e re populiste në Romë ka marrë qëndrim të ashpër ndaj tyre.

Reagimi i Austrisë

Salvini pati kohë të kritikonte edhe ministrin e Brendshëm të Austrisë, Herbert Kickl. Por Austria në këtë rast ka një pozicion më superior në krahasim me Italinë, sepse ajo mban presidencën e Bashkimit Evropian. Austria ka qenë e angazhuar në maksimum për të ndaluar rritjen e emigrantëve në territoret e Bashkimit Evropian. Austria nuk dëshiron kurrë që të përsëritet viti 2015, kur një numër i madh emigrantësh ikën nga vendet e Lindjes së Mesme dhe iu drejtuan Bashkimit Evropian. Qeveria e koalicionit austriak, e cila përfshin edhe të djathtën ekstreme, “Partia e Lirisë”, ka kërkuar vazhdimisht formimin e një trupe ushtarake të vendeve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të ngrihen ndalesa dhe të bëhet bllokimi i emigrantëve ilegalë, të cilët tentojnë të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian. Planet e zbuluara nga Austria, përfshijnë stërvitjet ushtarake austriake dhe helikopterë “Black Hawk”, stërvitje të cilat u mbajtën në qershor të këtij viti dhe mundësuan ndalimin e një fluksi prej qindra emigrantësh në kufijtë e vendit. Megjithatë, propozimet u paralajmëruan me kujdes nga ana e Gjermanisë dhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Nga ana e tij Salvini, i cili kryeson partinë e të djathtës ekstreme, ka vendosur si qëllim, zero emigrantë në Itali. Ai ka mbyllur portet e Italisë për anijet ndërkombëtare të shpëtimit dhe është zotuar të deportojë rreth 500 mijë emigrantë të paligjshëm në vend. Rreth 700 mijë emigrantë me anije kanë arritur në Itali nëpërmjet Mesdheut, nga Afrika e Veriut, që nga viti 2014.

8300 policë në operacionin e Ballkanit për krime të rënda,  

Sasi të mëdha armësh dhe droge janë konfiskuar, në një aksion të madh policor ndërkufitar të koordinuar nga Europol, i projektuar për të luftuar krimin që vjen nga Ballkani Perëndimor. Ky aksion i madh policor ka përfshirë 8 300 policë nga 28 vende dhe është projektuar për të frenuar krimin që e ka origjinën nga Ballkani. Ky aksion ka angazhuar pothuajse gjysmë milioni njerëz. Janë përdorur automjete dhe logjistikë e rëndë, të cilat kontrolloheshin nga terreni, tha Europol, të premten në një konferencë për mediat. Në njoftimin për shtyp, Europoli tha se, ditët më të fundit të aksionit u zhvilluan ndërmjet 5-9 shtatorit. Këto aksione përfshinin policë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia. Policia nga 20 shtete të Bashkimit Evropian u përfshi gjithashtu, sikurse ishte edhe policia nga Zvicra, SHBA, Europol dhe Frontex. Si një shembull i një veprimi të përbashkët, më 6 shtator, një kamion turk me 34 emigrantë u ndalua në Hungari, pranë kufirit rumun. “Disa qindra informata u shkëmbyen mes të gjithë partnerëve, 32 të dyshuar u arrestuan, 102 personave iu konfiskuan armë zjarri dhe 60 shtëpi u kontrolluan”, tha në deklaratën për shtyp Europol. Europol listoi 159 armë zjarri, eksplozivë dhe armë të tjera të konfiskuara, si dhe 1 462 copë municione dhe 286 kilogramë drogë. Policia arrestoi trafikantët, emigrantët e paligjshëm dhe refugjatët, trafikantët e drogës, trafikantët e armëve të zjarrit dhe falsifikuesit e dokumenteve. Ditët e Përbashkëta të Veprimit, janë operacione të rregullta ndërkufitare të zbatimit të ligjit, të kryera nga Europol. Nëntorin e kaluar, një operacion i Ditës së Përbashkët të Veprimit, i drejtuar kundër trafikimit të armëve në Ballkanin Perëndimor, rezultoi në mbi 135 armë zjarri dhe 7,000 municione të konfiskuara në “Kalibrin e Operacioneve”.

Avramopoulos: Bashkëpunimi me Ballkanin është esencial

Në konferencën e mbajtur në Austri, për refugjatët ishte i pranishëm, Komisionieri për Emigracionin dhe Sigurinë, Dimitris Avramopoulos. Gjatë koferencës me ministrin e Brendshëm austriak, Herbert Kickl, Avramopulos theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit. Kjo për faktin se Ballkani ka qenë vend kalimi për emigrantët e Lindjes së Mesme. Avramopoulos theksoi se: “Bashkëpunimi me Ballkanin është shumë i rëndësishëm. Kjo jo vetëm për çështjen e refugjatëve, por edhe për rrezikun e terrorizmit global. Tashmë është fakt se bashku me refugjatët, mund të vijnë edhe terroristët e rinj. Afrimi i fundit të luftës në Siri ka bërë që shumë terroristë të fillojnë të kërkojnë strehim në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo gjë është shumë e rrezikshme. Ne duam një rajon të stabilizuar, por edhe të sigurt. Siguria është e para. Dy forcat tona, të cilat po kontribuojnë më shumë janë, “Seapol” dhe “Interpol”. Funksionimi dhe koordinimi i këtyre dy strukturave bën të mundur edhe eliminimin e terrorizmit ndërkombëtar. Bashkimi Evropian nuk po i zgjeron kufijtë, por nga ana tjetër, po mendon seriozisht për zgjidhjet e mundshme të problemeve. Ne kemi një qasje optimiste dhe dëshirojmë që të gjithë refugjatët, të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Por nga ana tjetër, ne kërkojmë edhe mirëkuptimin e shtetasve të Bashkimit Evropian, sepse jo çdo situatë mund të zgjidhet në mënyrë të thjeshtë. Ne kërkojmë që të na jepni më shumë kohë. Ajo çka ne duhet të bëjmë, është ideja për të shtrirë një marrëveshje të re me Afrikën e Veriut. Pra, të njëjtën formë bashkëpunimi që kemi me Ballkanin, ta shtrijmë edhe me Afrikën e Veriut.

Tani pjesa më e madhe e emigrantëve vjen nga zona e Afrikës së Veriut. Ajo që është e rëndësishme është rënia dakord e të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian. Unë kam dhënë urdhër që Bashkimi Evropian të bashkëpunojë për këtë operacion në kufijtë e vet. Kjo, natyrisht do të zhvillohet me mbështetjen e vendeve të prekura. Duke pasur parasysh këtë, u bëjmë thirrje shteteve anëtare të rritin përpjekjet e tyre për: të kthyer plotësisht premtimet e tyre, për të bërë realitet zhvendosjen e 50 mijë refugjatëve, sa më shpejt të jetë e mundur. Të biem dakord për kornizën tonë të propozuar: të dorëzohet urgjentisht reforma ambicioze e skemës së re të kartave të BE-së, të propozuar nga Komisioni Evropian, në vitin 2016, për të tërhequr punëtorë me kualifikim të lartë në Bashkimin Evropian, me qëllim të përmirësimit të konkurrueshmërisë së ekonomisë së BE-së; dhe – të forcojë bashkëpunimin me vendet kyçe të Afrikës, duke zhvilluar dhe nisur projektet pilot, deri në fund të këtij viti. Së fundi, para mbylljes, gjithashtu dua të them pak fjalë për sigurinë. Siguria është për kufijtë tanë, siç thashë më parë kur flasim për kufirin dhe Rojet Bregdetare Evropiane. Gjithashtu, ne propozojmë rregulla të reja për të forcuar ndalimet e influencës së terroristëve në internet, brenda një ore”, përfundoi Avramopulos.

Rritet numri i emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri

Në fund të korrikut 2018, autoritetet shqiptare raportuan 1,358 regjistrime të parregullta në rajonin e Gjirokastrës, e njohur si pikë hyrëse e emigrantëve të paligjshëm. Të dhënat e disponueshme nga autoritetet përkatëse pranë Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit “IOM”, në një raport të fundit, tregojnë një rritje tetë herë, krahasuar me 178 raste të raportuara në të njëjtën periudhë të vitit 2017 dhe rreth katër herë më të larta, se sa 370, të regjistruara deri në fund të korrikut 2016. Gjatë kësaj periudhe raportuese, 1-31 korrik, u regjistruan gjithsej 125 emigrantë të parregullt në vend, tri herë rritje krahasuar me 42, të raportuara në qershor të këtij viti. Përveç kësaj, 150 emigrantë të parregullt u evidentuan duke u përpjekur të dalin nga vendi drejt Malit të Zi në veri të Shqipërisë, rajoni i Shkodrës, pothuajse gjysma e 285 të raportuar muajin e kaluar. Ndërmjet marsit dhe korrikut 2018, u vlerësuan 740 përpjekje për të dalë nga vendi. Republika Arabe Siriane ishte vendi më i zakonshëm i origjinës, i raportuar nga emigrantët e parregullt të regjistruar dhe të deklaruar, në 55 për qind të rasteve. Pjesa e mbetur prej 45 për qind të personave të raportuar, janë përkatësisht nga Iraku (8%), Algjeria (6%), Maroku (5%), Libia (4%) dhe (22%) të tjerë. Në një raportim të mëparshëm, nga Frontex, Agjencia Evropiane për Kufijtë tokësore dhe bregdetarë, rezultonte se pikërisht në korrik, ka pasur rritje fluksi kalimi të emigrantëve të paligjshëm në rrugën paralele nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Megjithatë, një rrugë paralele nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe nga Serbia në Bosnje Hercegovinë, ka parë presione të vazhdueshme migruese, deklaroi Frontex. Ndjekja e Lëvizjes së emigrantëve si pjesë e programit të punës së IOM (DTM), është një mjet dhe metodologjitë e dizajnuara për të ndjekur dhe analizuar lëvizshmërinë njerëzore në kontekste të ndryshme të zhvendosjes, në mënyrë të vazhdueshme. IOM bën raporte të herëpashershme me informacion mbi emigrantët, që lëvizin përmes Mesdheut, deri në Ballkanin Perëndimor. Të dhënat mbi lëvizjet mblidhen nga IOM përmes konsultimeve me ministritë e brendshme, rojet bregdetare, forcat e policisë dhe të tjera burime kombëtare relevante.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat