Rama pranë të varfërve, qytetarët: Boll reklamove, bëj punën tënde!

Shqipëria

Rama pranë të varfërve, qytetarët: Boll reklamove, bëj punën tënde!

Më: 16 shtator 2018 Në ora: 00:41
Edi Rama

Prej disa kohësh kryeministri Edi Rama shkon në familje të varfra. Në ato familje të cilat mbijetojnë në kushte ekstreme, prej ku kryeministri premton zgjidhje. Por, kjo gjë ka ndarë mendimet e qytetarëve të cilët disa mendojnë se kjo nuk është gjë tjetër veçse propagandë dhe të tjerë e quajnë përkujdesje. Nëpërmjet një video të postuar në Facebook, Rama tha: “ia njoh gjymtyrët dhe damarët këtij vend dhe jetoj me realitetin e njerëzve të zakonshëm. … Unë kam detyrën të shoh përtej të sotmes, të mendoj për të ardhmen dhe për fëmijët e Hysenit.”

Por, sipas qytetarëve të pyetur nga Tirana Today nuk është kjo puna e një kryeministri, pasi sipas tyre ai duhet të krijojë politika fiskale që të ndihmojnë të gjithë të varfrit dhe jo të merret me një apo dy raste.

“Nuk duhet që kryeministri të shkojë nëpër familje. Ai duhet ta ndihmojë popullin me përkrahje sociale, pasi kjo është puna e qeverisë. Ai nuk shkon se i intereson, shkon sa për sy e faqe dhe për reklamë.”

“Është propagandë se ai është kryeministri dhe duhet të merret më gjëra të tjera dhe jo thjesht të shkojë nëpër familje. Merren shoqatat me rastet specifike. Qeveria duhet të krijojë politika fiskale që do ndihmojë gjithë familjet e varfra.”

“Ai e bën për interesat e veta, do që të duket sa më parën njerëzve në nevojë. Kjo është propagandë, pasi me dy familje që shkon ai, nuk zgjidhen hallet e të varfërve.”

“Kushdo që të vejë nga politikanët tek të varfrit, është vetëm propagandë.”

Ndërkohë, të tjerë simpatizantë shprehen se kjo që po bën kryeministri është shumë gjë e mirë, pasi po i jep një shembull politikës sesi duhet të ndihmojë të varfrit.

“Ai është një lider që nuk ka nevojë të bëjë propagandë. Ai nuk ka si të shkojë në çdo familje, jep shembull sesi mund të ndihmohen familjet në nevojë. Me këtë opozitë qen bir qeni, çfarë do bëjë Rama.”

“Edi Rama do vetëm të mirën e Shqipërisë. Unë jam verior, por jam verior i tillë që shoh mundësinë e përparimit të vendit tonë dhe jo të shkatërrimit. Ata veriorë dhe jo vetëm, që mbështesin Saliun, e bëjnë qorrazi.”

“Jo nuk është propagandë, ai bën shumë mirë që shkon. Ai nuk ka si të shkojë në të gjitha familjet, për ato dy a tre që ka shkuar, i ka parë të arsyeshme dhe shkoi. Njerëzit edhe qahen e ankohen, por kryeministri Rama po bën punë të mira.” 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat