480 mijë nxënës ulen nesër në bankat e shkollës, Nikolla: Më shumë siguri dhe cilësi

Shqipëria

480 mijë nxënës ulen nesër në bankat e shkollës, Nikolla: Më shumë siguri dhe cilësi

Më: 16 shtator 2018 Në ora: 23:34
Foto ilustrim

Nesër do të shkojnë në shkollë 480 mijë nxënës, për një vit të ri shkollor me disa risi të rëndësishme, që do ta bëjnë mësimin më tërheqës e më cilësor, teksa reforma në arsim nuk ndalet.

Ministrja e  Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla, përmes një videomesazhi në ERTV, u shpreh se të hënën nis mësimi për 480 mijë nxënës në sistemin arsimor para universitar. Ministrja Nikolla tha se reforma në arsim vazhdon me qëllimin për ta bërë sistemin arsimor më tërheqës dhe më efikas.

“Reforma në arsim vijon në mënyrë sistemike, kryefjalë është përmirësimi i cilësisë së shërbimit për të gjithë nxënësit. Vëmendja jonë për ju për të mësuar një kurikulë të re, të modernizuar nga kopshti deri në gjimnaze”, tha Nikolla.

“Sot ju mësoni me tekste të reja me standarde ndërkombëtare me një program shumë herë më të lehtësuar, e jo duke mësuar faqe tekstesh të shumta e përmendësh. Mësuesi vijnë përmes meritës së tyre, falë portalit mësues për Shqipërinë, ashtu si dhe mësuesit që janë në sistem që trajnohen sipas nevojës”, tha ajo.

“Falë reformës në gjimnaze, sot kemi gjimnaz të unifikuar të orientuar drejt karrierës. Këtë vit do të jenë 39 000 maturantë që do të mbyllin njëherë e për gjithnjë hendekun e krijuar mes gjimnazit-universitetit dhe tregut të punës. Ky vit shkollor sërish me klasa sportive që jeta juaj të jetë më e shëndetshme. Falë investime me standarde kemi 26 shkolla të reja për 10 000 nxënës. Shkollat janë kthyer në qendra komunitare. Pra jemi më pranë një shkolle që ju i drejtoheni me gëzim. Një shkolle që i përket shekullit të 21 që formon në dije dhe mendim ashtu si dhe shkollat e tjera perëndimore”, tha Nikolla

“Reforma në mësuesi është thelbësore, nga ky vit prioritet i qeverisë, vëmendja jonë për të përmirësuar kushtet, rritur pagat dhe cilësinë e mësuesve. Qeveria do të mundësojë financimin e studentëve  më të mirë për t’ju drejtuar mësuesisë. Emërimet jo më politike, por vetëm përmes portalit mësues për Shqipërinë. Mbyllëm 53 agjenci që funksiononin si biznes për mësuesinë, por krijuam një model të ri për  trajnime, shërbim i monitoruar, i cili matet në mënyrë permanente me atë që ndodh çdo ditë me mësuesit në klasat ku jeni ju fëmijë”, vijoi Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

“Kemi ende shumë për të bërë me cilësinë e punës. E di që shumë prej jush nuk e kanë atë që meritojnë, por do vijojmë me shkollën e drejtorëve, si risi për të larguar përfundimisht politikën nga shkolla, por dhe rritje e menaxhimit në shkolla. Pra prindër vëmendja jonë është te ju. Ky është viti i parë i teksteve falas për nxënësit deri në klasën e katërt, 190 mijë nxënës pra, 610 milionë lekë të dedikuara nga taksat tuaj, që u kthehen përmes librave. Fëmijët me aftësi të kufizuar janë fokusin tonë, këtë vit 700 mësues që do trajnohen në mënyrë permanente për t’ju ardhur në ndihmë kësaj kategorie”, tha Nikolla.

“Sot është sukses nisma 3 lëndë në 6 orë, më shumë kohë për të ndenjur me ju, çanta më të lehta dhe kohë më shumë për t’ju dhënë shoqërisë. Do të vijojmë me 50 shkolla në 12 qarqe të vendit bëjmë detyrat e shtëpisë, duke kaluar barrën e mësimeve nga ju te shkolla për ti përgatitur mësimet për nesër. Marrim më shumë përgjegjësi e për sigurinë në shkolla, duke dyfishuar numrin e oficerëve të sigurisë. Qendra e shërbimeve arsimore do të kthehet në modelin e një qendre ekselente shërbimesh në arsim, ashtu si dhe struktura e re arsimore që do të ngrihet këtë vit do të mundësojë shërbime për ju në të gjitha qarqet e vendit. Vëmendja jonë është te ju prindër, nxënës e mësues, e do vijojmë të flasim me shifra dhe fakte për ju, shpesh herë në dukje të vogla, por dita ditës më të vërteta dhe të me një punë të palodhur dedikuar ju, të vendosur për të çuar deri ën fund reformën në arsim”, theksoi Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat