Shqipëria dhe Serbia, shtetet më të uritura në Evropë

Shqipëria

Shqipëria dhe Serbia, shtetet më të uritura në Evropë

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 08:54
Ilustrim

Numri i njerëzve me barkun bosh është në rritje. Shqipëria dhe Serbia kanë përqindjen më të lartë të njerëzve të uritur në Europë, sipas raportit më të fundit të FAO dhe Kombeve të Bashkuara..

Tekat e klimës po rrisin urinë në botë: në 2017-n, për të tretin vit me radhë, numri i njerëzve që vuajnë nga mungesa e vazhdueshme e ushqimit është rritur.

Ndryshimet e temperaturave dhe dukuritë natyrore si thatësira dhe përmbytjet, janë një nga shkaqet kryesore të krizës ushqimore, citohet në një raport të përbashkët nga pesë agjenci të Kombeve të Bashkuara.

Në 2017-n, rreth 821 milionë njerëz vuajtën urinë, krahasuar me 804 milionë në 2016-n, ku Afrika ishte kontinenti më i prekur, me thuajse 21% të popullsisë të kequshqyer, tha për AFP-në Dominique Burgeon, drejtori i Emergjencave në Organizatën e Bujqësisë dhe Ushqimit (FAO).

Sipas të njëjtit kriter, 11.4% e popullsisë së paushqyer në Azi, 6.1% në Amerikën Latine dhe Karaibe, 7% në Oqeani, dhe më pak se 2.5% në Amerikën e Veriut dhe në Europë, nënvizohet në raportin e përgatitur nga FAO, IFAD, UNICEF, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) dhe Organizata Botërore e Shëndetit (ËHO).

Në Europë, dy janë vendet që kanë më shumë uri se të tjerat, Shqipëria (5.5% e popullsisë dhe Serbia me 5.6%.

Rikthimi i trendit të urisë

Në nivel global, numri i “barqeve bosh” në vitin 2017 ishte i njëjtë me atë të para 10 viteve, gjë që pasqyron ndryshimin e trendit rënës në botë që prej 2015-s.

“Ne jemi të shqetësuar për përkeqësimin e situatës në Amerikën e Jugut, tha Burgeon, duke shtuar se Venezuela është prekur nga një krizë e vështirë ekonomike.

Megjithatë, “kriza e ushqimit është më e pranishme në vendet në luftë, si Republika e Jemenit, ku 35% e popullsisë është e kequshqyer, shtoi eksperti.

Raporti analizon në detaje “ndryshueshmërinë e klimës dhe ekstremet klimatike”, të përcaktuara si “faktorë kryesorë në rritjen e fundit të urisë në botë”.

“Gjithnjë e më shumë prova tregojnë se ndryshimet klimatike tashmë po ndikojnë në bujqësinë dhe sigurinë e ushqimit”, thotë raporti.

“Midis 1986 dhe 2006, ka pasur rritje dramatike të fatkeqësive natyrore që lidhen me klimën, të cilat përbëjnë 80% të të gjitha katastrofave natyrore”, tha Burgeon: sezonet e hershme, të vonuara ose krejtësisht të zhdukur në disa vende të planetit kanë ndikim të madh në të korrat e produkteve bujqësore”.

“Gjatë dhjetë viteve të fundit, 36% e vendeve që kanë përjetuar një rritje të të kequshqyerit, gjithashtu përjetuan një thatësirë,” përmbledh eksperti.

FAO dhe OKB rekomandojnë një sërë teknikash bujqësore për t’u zbatuar sipas konteksteve lokale, për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike dhe për të ruajtur korrat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat