Sekuestrohet pasuria e Habilajve

Shqipëria

Sekuestrohet pasuria e Habilajve

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 20:24
Pasuritë e sekuestruara, kapin një vlerë prej disa miliona eurosh dhe hetimet për burimin e tyre po vijojnë.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e sekuestros mbi pasuritë e grupit e dyshuar kriminal Habilaj.

Njoftimi zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme rendit një sërë pasurish, të luajtshme e të paluajtshme në pronësi të të akuzuarve të dosjes “Habilaj”, të cilët gjykohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Masa e sekuestros së pasurive vjen thuajse një vit pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi procedimin penal për veprat penale “trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë”, ku person nën hetim është edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Regjistrimi i procedimit të mësipërm u bë mbi bazën e informacioneve në media, thekson prokuroria, pas arrestimit nga prokuroria italiane të Moisi Habilajt si trafikues i sasisë prej 3.5 tonë kanabis nga Shqipëria drejt Italisë.

Në listën e pasurive të sekuestruara në emër të Artan, Ciko, Moisi e Florian Habilaj rendit 18 pasuri të paluajtshme, mes tyre apartamente, garazhe e troje, të gjitha në qytetin e Vlorës, si edhe 5 automjete në pronësi të personave të akuzuar si anëtarë të grupit Habilaj.

Pasuritë e sekuestruara, thekson prokuroria, kapin një vlerë prej disa miliona eurosh dhe hetimet për burimin e tyre po vijojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat