“Pronari më shikonte format, më kërkonte foto”, e reja tregon ngacmimin seksual në punë

Shqipëria

“Pronari më shikonte format, më kërkonte foto”, e reja tregon ngacmimin seksual në punë

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 06:38
Ada është një vajzë 23-vjeçare nga Berati, e cila pasi përfundoi studimet e larta vendosi që të qëndrojë në Tiranë për t’u punësuar

Ada është një vajzë 23-vjeçare nga Berati, e cila pasi përfundoi studimet e larta vendosi që të qëndrojë në Tiranë për t’u punësuar.

Por, në ambientet punëdhënëse që ajo ka frekuentuar është ndjerë vazhdimisht e ngacmuar seksualisht nga shefat e saj.

“Nisa të kërkoja punë, por ishte shumë e vështirë, sidomos për një femër. Kur shkon të kërkosh punë nuk shikojnë aftësinë, por format”, tregon Ada.

Në rrëfimin e saj, 23-vjeçarja tregon një nga rastet e ngacmimeve.

“Pronari më tha se mund të merrja çfarë të doja pa paguar. Gjithë kohës më dërgonte mesazhe, më kërkonte foto në mëngjes”, thotë vajza për Top Channel.

Ada nuk është e vetmja. Në rrethin e saj shoqëror njeh shumë vajza që bien pre’ e këtyre ngacmimeve. Disa herë ka tentuar që t’i denoncojë këto raste, por është tërhequr për shkak të familjes: “Babai nuk do më lejonte më që të rrija në Tiranë. Nëse do të isha akoma në shkollë, do më hiqte edhe nga shkolla. Duke u nisur nga kushtet e familjes sime, jam e detyruar që të kërkoj punë”.

Në vendin tonë nuk ka një numër zyrtar të vajzave që ngacmohen seksualisht në punë. Megjithatë, sipas një studimi, raportohen të paktën 20 raste çdo vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat