Si lindi koncesioni i pompave; Propozimi i pakërkuar i kompanisë që në 2016-ën

Shqipëria

Si lindi koncesioni i pompave; Propozimi i pakërkuar i kompanisë që në 2016-ën

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 16:06
Foto ilustrim

Top Channel mëson se koncesioni i pompave të karburantit është një propozim i pakërkuar që i është bërë qeverisë shqiptare që në vitin 2016. Që në atë kohë projekti u mbajt pezull, ndërsa u miratua 2 muaj më parë. Kompania parashikon një investim rreth 530 mijë euro, ndërsa te ardhurat për një periudhë 20 vjeçare do të jenë minimalisht 50 milionë euro.

Koncesioni i kontrollit të pompave në stacionet e karburantit është një projekt i nisur që në vitin 2016. Top Channel publikon propozimin e pakërkuar të kompanisë “Noa Control”, të cilin qeveria e ka mbajtur pezull për më shumë se dy vjet e gjysmë dhe dy muaj më parë vendosi ta miratojë.

Ky është dokumenti, nga i cili lindi koncesioni i radhës për një tjetër shërbim publik. Oferta e pakërkuar është bërë në dhjetor të vitit 2016 për Ministrinë e Ekonomisë, e cila në atë kohë drejtohej nga Milva Ekonomi. Në ofertë “Noa Control” propozon marrjen me kontroll të koncesionit të pompave të naftës dhe gazit për një afat prej 35 vitesh, por që qeveria në shpalljen zyrtare e ka ulur në 20 vjet.

Sipas propozimit, kompania parashikon të kryejë një investim total rreth 530 mijë euro për një biznes, i cili sipas burimeve nga Ministria e Financave gjeneron 2 deri në 3 milionë euro të ardhura vetëm në një vit dhe për gjithë jetëgjatësinë e tij pritet të sigurojë minimalisht 50 milionë euro të ardhura.

Koncesioni i pompave është i dyti në fushën e naftës pas atij të ngjyrosjes. Edhe këtë herë shërbimi kalon tek privatët në kushte monopol. Aktualisht shërbimi I kontrollit të pompave kryhet nga drejtoria e metrologjisë. Për këtë kompanitë e naftës paguajnë rreth 14 mijë lekë në vit për çdo pompë furnizimi, para të cilat u ngarkohen qytetarëve në çmimin fundor të naftës.

Të dhënat zyrtare nga drejtoria e metrologjisë tregojnë se tarifat e arkëtuara nga kontrolli i pompave përbëjnë pjesën dërrmuese të buxhetit të këtij institucioni duke dhënë rreth 70 për qind të të ardhurave vjetore. Dhënia e këtij shërbimi me koncesion i kalon këto para nga buxheti i shtetit tek kompania private që do të dalë fituese. Një tjetër biznes i garantuar me ligj, në kushte të plota monopol, për një shërbim që historikisht është kryer nga shteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat