U dhunua nga kunati dhe djemtë e tij, 55 vjeçarja: Të mos bëhet si masakra e Vlorës

Shqipëria

U dhunua nga kunati dhe djemtë e tij, 55 vjeçarja: Të mos bëhet si masakra e Vlorës

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 18:04
Qefsere Koleci

Qefsere Koleci i ka bërë thirrje shtetit që të ndërhyjë për të zbardhur konfliktin që ajo ka me kunatin e saj. 

Pasi u dhunua keq nga 61-vjeçari Medi Koleci, gruaja ka folur nga spitali për tvklan.al duke apeluar për ndihmë. Ajo thotë se Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme duhet të ndërhyrjë, për të shmangur një tragjedi si ajo e Vlorës me 8 të vrarë.

“Kemi një konflikt për një rrugë, e cila është pronë shtetërore që i përket fondit pyjor. Komisioni i Ndarjes së Tokës me ligjin 7501, ma ka lënë aty rrugën. Pas 23 vitesh zotëria ma ka bllokuar. Kam kërkuar ndihmë në të gjitha institucionet, të gjitha më kanë thënë që kam të drejtë por drejtësia nuk doli. Me datën 22 Shtator me urdhër të drejtorit të INUK-ut Ardian Halili, me ndihmën e Policisë së Shtetit kanë ardhur dhe kanë hapur rrugën, por zotëria përsëri e ka mbyllur.

E ka marrë policia dje, e ka dërguar në prokurorinë e Durrësit dhe e ka mbajtur gjithë ditën. Natën e ka liruar prokurori i Durrësit, po nuk e di se cili prokuror. Kjo është dhunë në familje, më janë masakruar fëmijët disa herë. I kam dërguar letrat në policinë e Durrësit, policia i ka dërguar te prokuroria, prokuroria i ka mbyllur çështjet. I bëj thirrje Arta Markut, kryeprokurores, të zbardhet çështja një orë e më parë, mos të ndodhë si masakra e Vlorës”, shprehet Qefsere Koleci.

55-vjeçarja nga Manëza e Durrësit u dhunua mëngjesin e sotëm me sende të forta nga kunati i saj Medi Koleci dhe dy djemtë e tij, Algert Koleci 32 vjeç dhe Admir Koleci 28 vjeç. Pas ndihmës së parë që mori në spitalin e Durrësit, u transportua në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku ndodhet aktualisht. Shkak i konfliktit u bë një rrugë që kalon para banesës së saj, të cilën e kishte zënë kunati Medi Koleci duke mbjellë ullishte. Banesat e këtyre dy familjeve ndodhen ngjitur me njëra-tjetrën, ndërsa ky problem ekziston prej disa vitesh.

Tvklan.al mësoi se ditën e djeshme, INUK dhe Policia e Shtetit shkuan për të liruar hapësirën e zaptuar nga Medi Koleci. Ky i fundit, për shkak se kundërshtoi policinë, u shoqërua në komisariat. Pas disa orësh u lirua, dhe mëngjesin e sotëm dhunoi me dy djemtë e tij Qefsere Kolecin, duke i shkaktuar plagë të rënda. 55-vjeçarja e dhunuar thotë se kunati i saj u la i lirë nga prokurori i çështjes. Ndërsa, 61-vjeçari dhe dy djemtë e tij janë shpallur në kërkim policia nga uniformat blu të Durrësit pasi rrahën 55-vjeçaren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat