Basha: Me mua Fushaj garonte në tendera, ndërsa tani ndryshohet ligji në favor të tij

Shqipëria

Basha: Me mua Fushaj garonte në tendera, ndërsa tani ndryshohet ligji në favor të tij

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 21:53
Lulzim Basha

Një pjesë e mirë e atyre që kreu i PD-së, Lulzim Basha i etiketoi si oligarkë, që po “zhvatin” paratë e shqiptarëve me ndihmën e qeverisë, kanë bashkëpunuar edhe me qeverinë Berisha, por edhe me Bashën, kur ishte në krye të bashkisë së Tiranës.

Lulzim Basha tha se bashkëpunimi me këto biznese ka qenë tërësish ligjore dhe se mban përgjegjësi të plotë për të gjithë tenderat që ata kanë fituar.

“Të gjitha këto kompani që ju përmendni, është e vërtetë që kanë marrë para edhe në kohën e qeverisjes së PD-së, por edhe kur unë drejtoja bashkinë e Tiranës. Gjithsesi e them me bindje të plotë, se ata kanë fituar sepse kanë pasur ofertën më të mirë, pasi kanë marrë pjesë ne tendera të hapur dhe në gara të ndershme. Megjithatë edhe këto tendera, unë jam i gatshëm që të përfshihen në hetim. Kompania “Fusha shpk” ka marrë tendera në bashkinë e Tiranës sepse ka konkurruar me disa kompani të tjera dhe ka pasur ofertën më të mirë, ndërsa në rastin e Teatrit Kombëtar, kjo kompani po merr pa garë lejen për të ndërtuar kulla me vlerë miliona euroshe, duke mundësuar pastrimin e parave të krimit në kundërshtim të plotë me interesin publik”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së theksoi se synimi i kësaj platforme nuk është të çojë disa njerëz në burg, por të shpëtojë miliardat e shqiptarëve, të cilat po “zhvaten” nga oligarkët në bashkëpunim me qeverinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat