Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha flet për nismat më të reja të opozitës

Shqipëria

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha flet për nismat më të reja të opozitës

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 23:43
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i paranishëm në emisionin “Open” në Top Channel, foli për nismat më të reja të opozitës.

Beteja kundër oligarkëve tha Basha është një nga nismat, për të cilën opozita ka gati një projektligj, që do të godasë të gjitha aferat korruptive të qeverisë dhe do të shpëtojë rreth 2.2 miliardë euro para të shqiptarëve.

Basha u shpreh se “vendi po kalon një situatë shumë të rëndë, veçanërisht në rrafshin ekonomik, pasi shqiptarët e të gjitha shtresave, e ndjejnë ‘darën’ e shtrëngimit ekonomik, që është rezultat i aleancës së pushtetit me një grusht oligarkësh. Paratë e shqiptarëve po prodhojnë mirëqenie vetëm për një grup njerëzish dhe jo për të gjithë popullsinë. Kjo ndodh pasi ligjet shkelen dhe me ndërhyrjen e shtetit, kompani të caktuara, pas vetëm 48 orësh nga krijimi, marrin miliona euro koncesione”.

Ligji antimafia, deklaroi Basha, synon ndaljen e këtij procesi dhe verifikimin me detaje të këtyre aferave, duke bërë sekuestrimin e pasurive të paligjshme dhe duke çuar para përgjegjësisë të gjithë zyrtarët që janë të përfshirë.

Lulzim Basha foli gjithashtu edhe për çështjen e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, e cila ka zënë një vend të rëndësishëm në axhendën e opozitës gjatë muajve të fundit, ndërsa është folur edhe për atë që quhet “vijë e kuqe”.

Basha shpjegoi se në këtë rast, kompania “Fusha” ka bërë një propozim të pakërkuar dhe se në bashkëpunim me qeverinë, po kërkon të pastrojë paratë e krimit, duke ndërtuar kulla miliona euroshe, në dëm të interesit publik.

“Është një rast i jashtëzakonshëm, që një qeveri paracakton fituesin pa garë dhe ndryshon ligjin, në favor të atij fituesi. Në këtë rast, qeveria po shfrytëzon edhe vakuumin e sistemit gjyqësor, për t’i vënë dinamitin godinës së Teatrit. Çdo njeri që mendon t’i vërë dinamitin pronës publike, duhet të përgatitet që të përballet me të njëjtën gjë edhe në pronën e tij private më vonë”, – tha Basha.

Kreu i Partisë Demokratike foli edhe për një nga çështjet e artikuluara nga opozita në këto ditë lidhur me vetingun në politikë, ai shpjegoi se si synon të realizojë këtë proces.

Kreu i opozitës iu përgjigj shprehjes së qeverisë se “djalli qëndron në detaje” dhe theksoi se vetingu synon të nxjerrë jashtë politikës, personat me lidhje me krimin e organizuar.

“Djalli nuk qëndron në detaje, por është në Parlament dhe në qeveri. Djalli janë ata persona që marrin vendime në emër të qytetarëve dhe në kundërshtim me interesin e tyre. Ne duam që t’i largojmë këta djaj nga Parlamenti, pasi sot në Shqipëri qeveris krimi i organizuar, i cili e ka vënë përfund shtetin.

Në dy javë, Parlamenti është marrë vetëm me hallet e oligarkëve dhe kriminelëve, duke lënë mënjanë shqetësimet e shqiptarëve. Vetingu politik është i njëjtë me atë që po bëhet për prokurorët, gjyqtarët dhe policinë, ndërsa tashmë do të bëhet edhe për politikanët”, – tha Basha.

Basha shpjegoi pse nuk duhet pritur ngritja e SPAK-ut dhe BKH-së, për të kryer vetingun në politikë, ashtu siç po kryhet për gjykatësit, prokurorët dhe policët.

“SPAK-u dhe BKH-ja hetojnë dhe të çojnë në burg, ndërsa vetingu synon vetëm t’i nxjerrë të gjithë të inkriminuarit nga jeta politike.

Nëse një gjyqtar i lidhur me krimin, një prokuror i lidhur me krimin apo një polic i lidhur me krimin, duhet nxjerrë jashtë sistemit, atëherë pse një politikan i lidhur me krimin të mos nxirret jashtë sistemit? – u shpreh Basha në “Open”. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat