Sot pretenca për Shullazin dhe grupin e tij

Shqipëria

Sot pretenca për Shullazin dhe grupin e tij

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 08:28
Emiljano Shullazi

Sot pritet të jepet pretenca për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij. Seanca është parashikuar të zhvillohet në orën 09:00 në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Dosja e Shullazit futi në kaos prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi refuzuan hedhjen e shortit për të gjykuar këtë cështje pas largimit të Elisabeta Imerajt, që u emërua drejtuese e prokurorisë në Tiranë dhe Eneid Nakucit me pretendimin se është sëmurë.

Pak ditë më parë Prokuroria bëri të ditur se është caktuar trupa e prokurorëve për këtë çështje, por emrat ende nuk janë bërë të ditur, pasi në njoftim thuhej se do të publikohen ditën e seancës. Ndërkohë një ditë më parë, ambasada amerikane në Tiranë në përgjigje të Zërit të Amerikës për këtë çështje tha se “mbështesim prokurorët e guximshëm që kërkojnë drejtësi, edhe kur ka rreziqe”.

Nuk vonoi shumë reagimi i kryeprokurores Arta Marku ndaj prokurorëve të Krimeve të Rënda, të cilët refuzuan të merrnin pjesë në shortin e dosjes Shullazi. Pasi është vënë në dijeni për situatën nga drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, prokurorja e Përgjithshme ka urdhëruar dje transferimin e përkohshëm në rrethe të tre prej prokurorëve të cilët refuzuan hedhjen e shortit.

Bëhet fjalë për prokurorët Olsian Çela që do të transferohet në Prokurorinë e Beratit, Sonila Muhametaj e cila do të transferohet në Prokurorinë  e Pukës dhe Besim Hajdarmataj që do të transferohet në Prokurorinë e Pogradecit. Me lëvizjen e këtij të fundit është larguar nga prokuroria e krimeve të renda njeri prej prokuroreve qe po hetonte dosjen e ish ministrit te Brendshëm. Ndërsa për Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Becin dhe Blerim Tominajn, kryeprokurorja Arta Marku ka kërkuar hetim disiplinor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat