Pse u boshatisën plazhet shqiptare këtë vit?!

Shqipëria

Pse u boshatisën plazhet shqiptare këtë vit?!

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 10:00
Ilustrim

Plazhet e boshatisura në muajin gusht ishin një nga shqetësimet kryesore që u konstatua nga operatorët turistë dhe bizneset në vend, ku të gjithë ankoheshin për rënien e turistëve nga Kosova.

Por të dhënat e publikuara nga INSTAT për lëvizjet e shtetasve në muajin gusht dhe për tetë mujorin tregojnë se të huajt që kanë hyrë në Shqipëri kanë shënuar rritje të ndjeshme, përfshirë dhe ata nga Kosova, që në gusht u rritën me 40%. Në total, për 8 mujorin në Shqipëri kanë hyrë 4.4 milionë të huaj, me rritje 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga këta, për qëllime pushimi kanë hyrë 2.1 milionë të huaj, me një rritje prej 12.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të të viti më parë. Numri më i lartë i tyre ishte në gusht, me rreth 960 mijë persona (rritje 12%).

Sipas INSTAT, në Gusht 2018, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 1.449.952. Krahasuar me Gusht 2017, ky numër është rritur me 26,9 %.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në tetëmujorin e 2018 është 4.397.638 duke u rritur me 16,8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Në Gusht 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Gjermania ka patur rritjen më të madhe me 82,5 %, ndërsa uljen më të madhe e kanë patur shtetasit nga Mali i Zi me

63,5 %.

Në tetëmujorin e 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Gjermania ka pasur rritjen më të madhe 36,9 % .

Në vlerë absolute kryesojnë dukshëm shtetasit nga Kosova. Në gusht hynë 670 mijë shtetas nga Kosova, me një rritje të dukshme prej 40% nga gushti 2017. Për 8 mujorin numri i tyre arriti në 1.58 milionë me një rritje prej 17%.

Të dytët janë maqedonasit me 503 mijë hyrje për 8 mujorin, me zgjerim 11%.

Në vend të tretë janë grekët, me rritje 7.1% në 333 mijë, por me ritme më të ngadalta se të tjerët.

Shtetasit italianë u rritën me 18.2%, në 315 hyrje për 8 mujorin.

Në rënie ishin vetëm shtetasit nga Mali i Zi dhe Anglia, me përkatësisht 13% dhe 11% për 8 mujorin, si rrjedhojë e rënies së fortë që shënuan në gusht.

Në kahun tjetër, ka një rritje të lehtë të daljeve të shqiptarëve jashtë vendit. Për 8 mujorin, dolën nga Shqipëria rreth 3.6 milionë persona, me një rritje prej 3.2% në krahasim me 8 mujorin e një viti më parë. Në gusht, daljet u rritën me 1.3%, në 670 mijë persona.

Tre vitet e fundit Shqipëria është përfshirë në një valë të heshtur emigracioni, që duket dhe një prej arsyet kryesore të “boshatisjes” së plazheve, apo dhe shkollave, siç u konstatua këtë vit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat