Brukseli: Rustemi do të kryejë dënimin në Shqipëri

Shqipëria

Brukseli: Rustemi do të kryejë dënimin në Shqipëri

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 23:30
Koen Geens

Safet Rustemi do kryejë në Shqipëri dënimin me 22 vite burg të marrë në Belgjikë sipas një marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve, ka deklaruar ministri belg i Drejtësisë, Koen Geens në një intervistë për “vrt.be”, i cituar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë.

“Ne kemi një marrëveshje për të aplikuar në mënyrë reciproke vendimet gjyqësore në të dy vendet, kështu që u kërkuam atyre që të aplikojnë ndëshkimin atje dhe ata do e bëjnë këtë”, deklaroi ministri belg, Koen Geens.

Pas arrestimit të një prej kriminelëve më të kërkuar në Belgjikë, Brukseli ka përshëndetur bashkëpunimin e suksesshëm me Tiranën në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit” të koduar “Oaz”.

“Ministri është shprehur shumë i kënaqur nga ky bashkëpunim i arrirë mes  forcave policore belge dhe atyre shqiptare për arrestimin e Safet Rustemi që figuronte në listën e personave më të kërkuar në Belgjikë dhe që u kap në Tiranë”, citonte “Het Nieuwsblad”.

“Bëhet fjalë për një bashkëpunim shumë të mirë mes drejtësisë belge që përgatiti dosjen penale dhe forcave policore blege dhe shqiptare që proceduan me arrestimin”, theksonte kabineti i ministrit, sipas citimeve nga media belge.

Safet Rustemi, I arrestuar më 22 shtator në vendin tonë, duhej të shlyente në Belgjikë një dënim prej 22 vitesh burg pasi vitin e kaluar, ai kishte marrë dënimin e parë për nëntë vite burg dhe këtë vit ai ishte dënuar dy herë me tetë dhe pesë vite burg, por Departamenti belg i Imigracionit e kishte dëbuar atë nga vendi në qershor 2017. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat