Taksë e re për koncesionet. Do të aplikohet në rastet e shitjes së aksioneve

Shqipëria

Taksë e re për koncesionet. Do të aplikohet në rastet e shitjes së aksioneve

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 15:24
Ilustrim

Qeveria ka përfshirë në paketën e re fiskale një ndryshim ligjor, i cili synon të taksojë fitimin që kompanitë e huaja realizojnë nga shitja e koncesioneve shqiptare.

Vendimi vjen pas disa shitjeve të bujshme të kontratave më të mëdha koncesionare në vend, ku qeveria ka humbur miliona dollarë taksa të pambledhura.

Në vitin 2016, koncesioni i naftës në Patos Marinzë u shit për 575 milionë dollarë nga kanadezët e “Bankers Petroleum” tek kompania kineze “Geo Jade”. Po atë vit, grupi gjerman “Hotchief” shiti 100% të aksioneve në aeroportin e Rinasit për 90 milionë dollarë tek një tjetër kompani kineze, pjesë e grupit “China Everbright”.

Në fakt, ligji shqiptar detyron çdo kompani që realizon fitim nga shitja e aksioneve të paguajë 15% tatim. Por, si në rastin e aeroportit, ashtu edhe në atë të “Bankers Petroleum”, qeveria shqiptare nuk arkëtoi asnjë lek. Arsyeja është se kompanitë pronare të koncesioneve janë të regjistruara jashtë Shqipërisë dhe shitja e koncesioneve bëhet jashtë vendit.. Thuajse të gjitha koncesionet e mëdha në Shqipëri zotërohen nga kompani “offshore”, të regjistruara në parajsat fiskale. Ndaj, kur ato shiten, qeveria humbet miliona dollarë taksa të pambledhura.

Ndryshimi ligjor i qeverisë vendos një dispozitë antishmangie në ligj, duke synuar që pavarësisht vendit ku është regjistruar kompania pronare, fitimi që ajo realizon nga shitja e aksioneve në Shqipëri të taksohet 15%. Pra, nëse pronari i një koncesioni ka shpenzuar 100 lekë për kontratën koncesionare, por e shet atë 200 lekë, atëherë diferenca prej 100 lekësh klasifikohet si fitim kapital dhe taksohet 15%. Ndryshimi i ligjit ka për qëllim të ngushtojë hapësirat e shmangies kryesisht për koncesionet, por ai prek të gjitha kompanitë e huaja kur ato realizojnë fitime nga shitja e kompanive apo aseteve që zotërojnë në Shqipëri, duke përfshirë bankat, kompanitë e telekomunikacioneve dhe të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat