Erzen Breçani fundos ‘Babalen’: Alizoti më rrëfeu se biseda ishte e sajuar

Shqipëria

Erzen Breçani fundos ‘Babalen’: Alizoti më rrëfeu se biseda ishte e sajuar

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 08:50
Erzen Breçani

Me personave që kanë rënë në rjetën e përgjimeve të prokurorisë që zhvillonte hetime për dosjen “Babale”, është dhe ish-zv/drejtori i policisë së Tiranës Erzen Breçani.

Ky i fundit është telefonuar nga Alizoti duke i thënë se gjithçka ka qënë e sajuar dhe fallco, por në mënyrë që ai të mos fliste duhet të bëhej pagesa, e premtuar. 

Nga ana tjetër Breçani i ka pohuar se nuk bëhen këto punë, duke marë në qafë njerëz kot dhe për të përfituar azilin jashtë shtetit. Biseda është përgjuar në 29 maj 2018 mes Breçanit dhe Alizotit, ku ky i fundit tregon se ka bërë zërin e Agron Xhafajt.

Ndërkohë në 1 qershor Alizoti ka telefonuar numrin 129 të policisë së Shtetit, duke u lidhur me Drejtorinë e Policisë Qarkut Fier. Pas një komunikimi të shkurtër me punonjësin e sallës operative, Alizoti është lidhur ne telefon me drejtorin e Policisë Qarkut Fier, duke treguar të gjithë të vërtetën.

Pra nga ana e Alizotit ka pasur një vullnet të plotë për të treguar të vërtetën e kësaj historie, dhe pa pasur ndikimin apo presionin e ndonjë personi tjetër. “Shqiptarja” zbardh të plota përgjimet e kryera ndërkohë që mësohet se janë rreth 340 faqe përgjime të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Dëshmia e Fredi Alizotit
Në datë 1.06.2018 janë marrë deklarimet e shtetasit Fredi Elmaz Alizoti. Komunikimet telefonike të këtij shtetasi kanë qenë në përgjim me vendim të prokurorit të datës 22.05.2018, të vlerësuara në vendimin e Gjykatës nr.457 datë 24.05.2018. Ky shtetas ka deklaraura që rreth orës 16:00 të 1.06.2018 kishte shkuar të komunikonte me drejtorin e policisë Fier, pasi donte të deklaronte disa fakte.

Kishte kontaktuar me drejtorin i cili e kishte orientuar që të jepte deklarime në Prokurornië për Krime të Rënda. Ky shtetas ka deklaruar se Albert Veliun e njihte prej 20 vitesh. Rreth muajve tetor-nëntor 2017 ai i kishte thënë që donte t'i bënte një regjistrim shtetasit Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, por nuk i gjenin dot anën, pasi ai nuk e afronte. I kishte ofruar që të bënin një regjistrim që shtetasi Fredi të hiqej sikur ishte Agron Xhafaj. Për këtë shërbim "Babalja" i kishte thënë që do merrnin 200 mijë euro nga deputeti me mbiemër Salianji. Këtë bisedë e kishin regjistruar në Vlorë te një lokal përballë atij që kishte shtetasi Agron Xhafaj. Sipas deklaruesit, "Babalja" kishte premtuar që do t'i jepte 100 mijë euro dhe zëri i shfaqur në regjistrimin e bërë publik nga TV, në bisedë me "Babalen" ishte zëri i tij. "Babalja" deri në këto momente nuk i ka dhënë asnjë lek.

Në këtë moment është ndërprerë pyetja e këtij shtetasi, pasi po jepte të dhëna për inkriminim në ngarkim të tij. Është paralajmëruar se pas këtyre deklarimeve mund të zhvillohen hetime ndaj tij dhe është ftuar të caktojë një mbrojtës. Deklaruesi ka kërkuar të japë shpjegime pa praninë e mbrojtësit, duke deklaruar se iu qëndronte deklarimeve, por më të detajuara do t'i jepte një ditë tjetër. I janë marrë edhe modelet e zërit këtij shtetasi. Nga verifikimet ka rezultuar se ka qenë i dënuar për vjedhje më parë. Përgjimi ishte kryer me një mjet tip stilolaps. Kishte qenë vetëm me Albertin, "Babalen". Nuk mbante mend periudhën e saktë, por mund të ketë qenë në janar 2018, kur kanë regjistruar bisedat. Kohë para kryerjes së regjistrimit, Alberti i kishte thënë të bënin një regjistrim bisede ku Fredi të hiqej sikur ishte Agron Xhafaj.

Këtë gjë do e bënin kundrejt një shpërblimi prej 200 mijë euro, të cilin do ta ndanin përgjysmë. I pyetur nëse i kishte thënë njeriu tjetër që ai kishte bërë zërin e Geron Xhafajt në audiopërgjimin e shfaqur në 14.05.2018, ai ka deklaruar që këtë bisedë e ka bërë edhe me persona të tjerë. Konkretisht, me një shtetas që mesa dinte quhej Florenc Hoxha. Bisedën e kishte bërë pasi "Babalja" ishte larguar nga Shqipëria. Kishte biseduar me një shtetas me emër Breçani ku i kishte treguar sesi ishte puna. Gjithashtu, kishte biseduar edhe me një shokun e tij që quhej Ramazan Çobo, i cili për momentin është në Spanjë, me këtë shtetas komunikonte shpesh. Shtetasin Jetmir Olldashi nuk e njihte, e kishte parë vetëm në TV. Për të herë të fundit me Babalen ishte takuar në Tiranë në muajin maj para se të largohej nga Shqipëri.  

Përgjimet e Prokurorisë
Nga përgjimet del se mes protagonistëve bisedohet për pazare parash. Përgjimet kanë zgjatur për rreth 60 ditë. Në këto biseda rezulton se Fredi Alizoti bisedon me Albert Veliun për likuidimin e punës së bërë. Gjatë muajit qershor kur datojnë edhe përgjimet ndërsa opozita sulmonte ashpër ministrin Xhafaj, Alizoti shfaqet i shqetësuar dhe telefonon shpesh, jo vetëm sepse nuk po merrte shumën e premtuar për aktrimin, por edhe sepse mediat po shkruanin për arrestime. 

Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se në 3 biseda, Alizoti pranon qartësisht se kishte imituar Agron (Geron) Xhafajn dhe se shprehet i zhgënjyer që Albert Veliu nuk i kishte dhënë paratë, edhe pse i ishin premtuar një shumë e konsiderueshme. Nga përgjimet del se Albert Veliu dhe kunati i tij do merrnin secili nga 100 mijë euro për punën e bërë në audiopërgjimin e pretenduar si të Agron Xhafajt. Në 6 qershor, zhurma politike po kryqëzonte ministrin e Brendshëm dhe kur Albert Veliu gjendej në Kosovë, ai flet me Fredi Alizotin për çështje lekësh dhe për likuidim të punës së bërë. Fredi Alizoti tregon se kishte takuar person tjetër për të cilin Albert Veliu i thotë që t’i kërkojë pagesën.

Albert Veliu: Ore, thuaji, bëj likuidimin që kemi lënë thuaj, kaq asgjë në botë. O Fredi vëlla, se me atë s’kam lidhje fare kontakti. Besomë, se jam në azil. Për shpirt të plakës. Unë flas me anë të tjetrit me kosovarin. Thuaj, o vëlla më bëj likuidimin, si e lamë, thuaj. 

Në të njëjtën ditë, Alizoti dhe “Babalja” flasin sërish, ku ky i fundit e vë në dijeni se e kishin mbajtur katër orë dhe e kishin pyetur. Por pjesa më e rëndësishme është biseda që Alizoti bën me numrin 974 në 12 qershor. Aty, Alizoti tregon se ka bërë rolin e Agron Xhafës.

Fredi Alizoti: Ai muhabeti jam unë. E kape filmin ti? Unë bëra sikur isha vëllai i atij, e ke parasysh? Dëgjon, bëra sikur isha vëllai i atij? Do merrnin nga një qindshe për njeri, dyqind përnjëherë. Ai më tha mua do marrim njëqindshe. Unë i thashë mirë një qindëshe, i thashë nëm një 20 tëshe, e kupton vëlla, asnjë 20 asgjë iku ky muhabet.

Dy ditë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e "Babales" dhe kunatit të tij Fredi Alizoti të cilët akuzohen për kallëzim të rremë. Ka qenë pikërisht kunati i Babales ai i cili ka imituar zërin e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj si i implikuar në një linjë trafiku kanabisi drejt Italisë. Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi, Prokuroria vendosi detyrim paraqitje.

Masat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda erdhën pas mbërritjes së përgjigjes së ekspertizës së audiopërgjimit nga një laborator në Britaninë e Madhe nga ku ka rezultuar se materiali është i montuar dhe nuk kemi të bëjmë me zërin autentik të Agron Xhafajt.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat