Mbyllja e kazinove dhe basteve, Lamallari: 54 mln dollarë më pak në buxhet; Kikia: Ishin plagë sociale

Shqipëria

Mbyllja e kazinove dhe basteve, Lamallari: 54 mln dollarë më pak në buxhet; Kikia: Ishin plagë sociale

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 21:54
Besfort Lamallari

Vendimi i Këshillit të Ministrave për lojërat e fatit u diskutua mbrëmjen e sotme në studion e lajmeve të Ora News, ku të ftuar ishin zëvendës/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe gazetari i njohur Mentor Kikia.

Lamallari tha se vendimi edhe pse me kosto financiare për buxhetin e shtetit, është marrë në funksion të shoqërisë.

Lamallari: Është përshkallëzim i një vendimi, jo vetëm largimi i kazinove dhe pikave të basteve nga zonat e banuara por edhe mbyllja totale e tyre në këto zona të banuara. Vendimi lidhet dhe me masat që do merren sa i përket reklamimit të tyre, ndalimi i kazinove elektronike përfshirë VLT.Kjo ka të bëjë me rritjen e mirëqënies në këto zona dhe ul ekspozimin e të rinjve përballë tyre. Vendimi ka edhe efekte ekonomike. Janë 54 milion dollarë taksa dhe të ardhura nga punësimi në këto aktivitete që do i mungojnë buxhetit të shtetit.

Edhe Mentor Kikia e përshëndeti vendimin që në në bindjen e tij është i vonuar. Ai tha se përhapja masive e lojërave të fatit u shndërrua në një plagë sociale për vendin.

Kikia: Këto 50-60 milion euro janë para të zhvatura në kuptimin më të plotë të fjalës nga xhepat e shqiptarëve. Biznesi i lojërave të fatit, nuk prodhon, nuk shet.Kjo është një histori që të kujton atë të fajdeve në '97.Kur piramidat u shembën ra shteti. Detyrë e shtetit është të ndalojë mashtruesit.

Lojërat e fatit janë biznes i ligjshëm në çdo vend të botës por në Shqipëri u shndërrua në epidemi të tmerrshme sa u bë gangrenë.Biznese përgjithësisht të zeza, askush nuk e di se kush është pronari dhe kontrolluesi i këtyre bizneseve, ç'para qarkullojnë, nga vinë dhe ku shkojnë, paguajnë apo jo taksa. Problemi i madh është plaga sociale që krijojnë. Sot ka pafund njerëz që kanë borxhe tek bastet, të rinj apo adoleshentë janë shndërruar në autorë krimesh se kanë lekë pa paguar në dyqanet e basteve. U shndërrua në burim krimi. Lidhur me pastrimin e parave, zëvendës/ministri i Brendshëm tha se operacioni Forca e Ligjit vazhdon dhe shumë shpejt do kemi goditje të tjera. Komponent kyç i Operacionit Forca e Ligjit, shtoi ai,  është dhe lufta kundër pastrimit të parave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat