Bëmat dhe gjëmat e komisarit të Fatos Nanos, vjen kërkesa e papritur e tij

Shqipëria

Bëmat dhe gjëmat e komisarit të Fatos Nanos, vjen kërkesa e papritur e tij

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 14:06
Edmond Koseni

Pas një periudhe të gjatë mungese, është rishfaqur në ekran Edmond Koseni.  Ai është nga Peqini, dhe ka qenë komisar në Policinë e Elbasanit në kohën e ish-kryeministrit Fatos Nano.

Ai bëri historinë me protagonizmin e tij në luftë kundër bandave e krimit. Që nga viti 1997 e deri në mesin e viteve ‘2000 ai ka drejtuar me dorë të hekurt. Ky është njeriu që futi në burg emra si Tan Kateshi apo Nehat Kullën…

“E vërteta është që atë Kateshin e kam rrahur. E kam rrahur para se ta dërgoja në qeli, që t’i thosha Elbasanit se shteti është më i fortë se krimi. Ndoshta s’duhej, por unë nuk jam ky që flet tani, kur kam përballë një kriminel”, tha Edmond Koseni.

Rrikthim në detyrë

Prej vitesh larg Policisë së Shëtit, ai kërkon kthimin në detyrë. “Ka 18 vite që bëj gjyqe dhe problemi është se mua më ka hetuar prokuroria edhe tullat dhe krevatet e shtëpisë. Vettingun e kam bërë gati dhe e kam nisur. Unë kam 18 vite që ha bukën time”, deklaroi Koseni.

Ai u akuzua për ushtrim të “torturës me pasoja të rënda”. Por ai është shprehur se i ka fituar të gjitha betejat me institucionet shtetërore dhe ka fituar të drejtën kthimit në detyrë.

Bëmat dhe gjëmat e komisarit të fortë

Një nga rastet më flagrante, që nga media dhe opozita e asaj kohe u quajt skandal ishte sasia e heroinës që u asgjësua. Kjo pasi operacioni nuk u krye sipas rregullave dhe pa praninë e prokurorëve.

Koseni i vetëm, me thikë në dorë, çau disa pako dhe i hodhi në lumin Shkumbin. Në shumë media u përfol se kishte hedhur miell në lumë dhe jo heroinë.

Rrahje dhe dhunë ndaj tifozëve të Elbasanit gjatë ndeshjeve së kësaj skuadre. Stadiumi u vu në qetësi përmes terrorit. Jo sikur ishte stadium, por opera. Kjo pasi shumë tifozë merreshin dhe rriheshin në polici.

Ndalimi dhe dhunimi nga policia i disa mjekëve. Në atë kohë u pretendua se ndaj tyre ishte ushtruar dhunë nga policia me urdhër të Edmond Kosenit.

Dhunimi i Irakli Koçollarit dhe Pjerin Ndreut

Dhunimi i Irakli Koçollarit, ish-nëndrejtor i Përgjithshëm i SHISH në atë kohë, i cili deklaroi se kishte patur një debat me Kosenin dhe më pas ishte dhunuar.

Një ngjarje tjetër e asaj kohe, e raportuar në media, ishte skandali se një shef rendi i Elbasanit. Ai ishte rrahur në sytë të punonjësve të policisë nga vetë Edmond Koseni në ambientet e policisë pasi kishte rreshtuar të gjithë trupën policore.

Në atë kohë bizneset e Elbasanit detyroheshin të paguanin shuma parash për policinë e qytetit, e cila gjoja quhej si ndihmë, por nuk ishte gjë tjetër veçse gjoba të paligjshme ndaj tyre.

Një nga rastet që është përfolur si bëmë e komisar Kosenit ka qenë një përplasje me Pjerin Ndreun, sot deputet i PS-së në atë kohë drejtues i lartë i Policisë së Shtetit. Në qarqet gazetareske u fol për një incident mes Ndreut dhe Kosenit dhe ky i fundit i kishte nxjerrë armën kolegut të tij në prani të ministrit të Brendshëm.

Këto janë disa nga rastet për të cilat shpesh është folur apo akuzuar “komisari i hekurt” që sot i ka hedhur poshtë duke nxjerrë një vendim gjykate me pretendimin ai do duhet kthyer në detyrë.

Edmond Koseni i përket kohës me dhunë, rrahje dhe terror mbi qytetarët si mjet për rendin dhe sigurinë në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat