Qeveria kundër EURALIUS-it. Ligji për noterët, ndryshohet varianti i ndërkombëtarëve

Shqipëria

Qeveria kundër EURALIUS-it. Ligji për noterët, ndryshohet varianti i ndërkombëtarëve

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 15:19
Etilda Gjonaj

Ndryshimet në ligjin për noterinë, ku numri i juristëve të licencuar për të ofruar këtë shërbim përcaktohet në raportin 1 për 15 mijë banorë, janë kundërshtuar nga Ministria e Drejtësisë.

Në relacionin që shoqëron draftin e që mban firmën e depozituesit Pandeli Majko, theksohet se ky është propozim i ekspertëve të EURALIUS-it, por ministrja Etilda Gjonaj kundërshtoi, duke paralajmëruar deputetët mbi pasojat e një vendimi të tillë.

“Problematik është raporti i numrit të noterëve me numrin e popullsisë, ku thuhet 1 me 15 mijë. Do të duhet që të mos organizohen më konkurse, testime të prodhimit të noterisë për t’u certifikuar dhe të mos lëshohen më licenca të reja për 15 vite”, tha Gjonaj.

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja u duk se nuk e pëlqeu ndërhyrjen e qeverisë, duke rikujtuar se projektligji ishte miratuar tashmë në parim: “Se sa do të jetë raporti, kjo është çështje e studimeve që janë bërë për këtë projektligj. Nuk mund të diskutohen pafundësisht këto gjëra”.

Numri i noterëve nuk ishte i vetmi shqetësim i ministres Gjonaj, e cila theksoi se nocioni i ri i zv/noterit rrezikon të cenojë sigurinë juridike: “Zv/noteri nuk është një person i kualifikuar si noter, nuk mund të kryejë veprime noteriale. Kjo formë rrezikon sigurinë juridike”.

Në këto kushte, Komisioni i Ligjeve shtyu mbledhjen me shpresën e gjetjes së dakortësisë me qeverinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat