“Më shumë bërtet sesa flet!” Gazetarët gjermanë “masakrojnë” Edi Ramën

Shqipëria

“Më shumë bërtet sesa flet!” Gazetarët gjermanë “masakrojnë” Edi Ramën

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 13:26
Edi Rama

Kur flitet për Bashkimin Evropian dhe pritshmëritë e Shqipërisë për tu anëtarësuar në familjen e madhe evropiane, kryeministri Edi Rama, shfaqet me humor jo të mirë.

Këtë ndjesi ka përcjellë në një shkrim në median "RedaktionsNetzëerk Deutschland", gazetarja gjermane Marina Kormbaki, nga takimi që ka pasur me shefin e mazhorancës shqiptare së bashku me një grup kolegësh gjermanë.

Një takim i kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama me disa gazetarë gjermanë në zyrën e tij në kryeministri, pati në qendër rrugëtimin që vendi ynë ka nisur për tu integruar në Bashkimin Evropian.

Në një shkrim të medias gjermane "RedaktionsNetzëerk Deutschland", thuhet se nëse do të ishte në vullnetin e qeverisë shqiptare dhe të Komisionit Evropian, negociatat mund të fillojnë së shpejti, në qershor. Por Shqipëria ka kundërshtarë të fuqishëm në Bashkimin Evropian, dhe kështu, shpresat e shumë shqiptarëve për një të ardhme evropiane po pakësohen, - vijon shkrimi që mban titullin "Anëtarësimi - Shqipëria humb durimin me BE".

Duke përshkruar takimin me shefin e mazhorancës shqiptare, gazetarja thotë se kryeministri nuk është me humor të mirë, dhe teksa përmend Bashkimin Evropian, më shumë bërtet se sa flet.

"Bashkimi Europian është absolutisht i paparashikueshëm", thotë kreu i qeverisë të Shqipërisë në bibliotekën e zyrës së tij. "Përpjekjet tona nuk vlerësohen mjaft nga evropianët. Ne jemi bërë lodër e politikës së brendshme evropiane", është shprehur numri një i qeverisë.

"Disa shtete anëtare të BE-së janë skeptikë, veçanërisht Franca. Ndërsa qeveria federale po punon shumë për të sjellë Ballkanin Perëndimor më afër BE-së, Parisi definitivisht po thotë "jo". Zyrtarisht, Parisi e bazon qëndrimin e tij bllokues tek korrupsioni dhe krimi i organizuar në shtetin me 2.8 milion banorë në Adriatik", shkruan media gjermane.

Gazetarja shkon dy vite pas, kur flet për periudhën e lulëzimit të kultivimit të kanabisit në Shqipëri në vitin 2016 dhe luftën që ju bë këtij fenomeni.

"Në asnjë vend evropian nuk është kultivuar më shumë kanabis se sa në Shqipëri. Deri në vitin 2016 eksportet e kanabisit u rritën në mënyrë të qëndrueshme. Gjykatësit, prokurorët dhe policia kanë lejuar që rrjetet të jepen". Por edhe më shumë - shkruan gazetarja: Vetë autoritetet shqiptare shpesh janë pjesë e krimit të organizuar. Por kjo duhet të marrë fund.

"Ne duam të zhdukim Shqipërinë nga harta e vendeve të kanabisit," citohet Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Fatmir Xhafaj.

"Ministria e tij punon me vendet e tjera të BE. Guardia di Finanza, policia tatimore e Italisë, ka skanuar territorin shqiptar për plantacione droge që nga fillimi i vitit, duke ndarë gjetjet e saj me policinë shqiptare. Kështu, në operacionet policore tashmë 31,000 bimë të kanabisit u shkatërruan", thekson "RedaktionsNetzëerk Deutschland".

Zyra Federale e Policisë Kriminale ndihmon shqiptarët për të luftuar krimin e drogës thotë gazetarja, teksa njofton se Shefi i Policisë Federale Dieter Romann do të udhëtojë drejt Tiranës javën e ardhshme.

Reforma në drejtësi nuk është lënë jashtë fokusit të takimit të kreut të qeverisë shqiptare me gazetarët gjermanë. E kjo ka tërhequr më së tepërmi edhe vëmendjen e tyre. "Një reformë gjyqësore e paparë në Ballkan", citohet në shkrim.

Një komision ekspertësh ndërkombëtarë vlerëson përshtatshmërinë e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend. Atyre u kërkohet të justifikojnë pasuritë e tyre, në seanca që janë si marrje në pyetje. Ata jetojnë në TV, shkruan gazetarja duke pasur parasysh seancat e mbajtura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që bën procesin e parë të vettingut. "Më shumë se 40 gjyqtarë dhe prokurorë të lartë kanë lënë postet e tyre për shkak se nuk mund të provonin se nga ishte burimi i parave të tyre, për toka, apartamente dhe makina në emër të tyre", pasqyron media gjermane.

Por sipas medias gjermane - janë vetë shqiptarët të cilët kanë dyshimet e tyre sa i përket jetësimit të reformës në drejtësi.

"Në Shqipëri vetë pakënaqësia është e lartë çka është reflektuar në largime masive nga vendi vitet e fundit në drejtimin e vendeve evropiane, por edhe në drejtim të SHBA-ve dhe Kanadasë. Shumica e shqiptarëve vijnë në Gjermani si azil kërkues. Berlini dhe Tirana kanë punuar së bashku që nga viti 2015, kur 54,000 shqiptarë kërkuan azil në këtë vend. Qeveria federale tani po rekruton infermierë në vend, dhe interesi nga të rinjtë shqiptarë është i madh. Shpesh dëgjon: Nëse je i pakënaqur me qeverinë, nuk do të shkosh në rrugë, por do të shkosh në aeroport", raporton gazetarjaMarina Kormbaki në shkrimin e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat