Cakaj: Ndërkombëtarët vlerësojnë Reformën në Drejtësi, opozita kultivon dyshime

Shqipëria

Cakaj: Ndërkombëtarët vlerësojnë Reformën në Drejtësi, opozita kultivon dyshime

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 09:36
Gent Cakaj

“Në një kohë kur ndërkombëtarët deklarojnë se Vetingu dhe Reforma në Drejtësi janë modele që duhet të eksportohen në rajon, politika në Shqipëri kultivon dyshime mbi këtë gjë, duke prodhuar rezultate negative për perceptimin publik”.

Kështu deklaroi sot nga një studio televizive, zv.ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili u shpreh se “procesi i integrimit europian nuk varet vetëm nga qeveria, por kërkon konsensus kombëtar dhe që mazhoranca dhe opozita të veprojnë në funksion të një axhende të përbashkët nga e cila përfiton Shqipëria”.

Pas miratimit nga Komitet për Çështjet e Jashtme të Parlamentit Europian të raportit të eurodeputetit Knut Fleckenstein për Shqipërinë, zv.ministri Cakaj u shpreh se “ky është një konfirmim shtesë, se në opinionin kombëtar ekziston një sinjal i qartë për ecurinë e reformave në Shqipëri.

Sipas Cakaj, “qeveria shqiptare është angazhuar në përmbylljen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në BE, siç është ecuria e procesit Screening, thellimi i rezultateve të Vetingut dhe ngritja e institucioneve të reja të Drejtësisë, si dhe zgjerimi i strukturave për integrimin”.

Po ashtu, sipas tij, “qeveria shqiptare po intensifikon dialogun me vendet më skeptike në raport me politikat e zgjerimit”.

Cakaj nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të konsensusit të brendshëm politik, “pasi integrimi europian ka nevojë për një komunikim aktiv me vendet anëtare, por edhe për dialog të brendshëm politik”.

“Pavarësisht takimeve formale, qeveria shqiptare dorëzon çdo muaj te shtetet kryesore të BE-së dhe institucionet e tjera europiane, rezultatet mbi Reformën në Drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit”, – tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat