Ministri i Financave: Program social për ata që mbeten pa punë nga mbyllja e basteve - Bota Sot
Ministri i Financave: Program social për ata që mbeten pa punë nga mbyllja e basteve

Shqipëria

E diel, 21 tetor 2018

Ministri i Financave: Program social për ata që mbeten pa punë nga mbyllja e basteve

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 10:25
Arben Ahmetaj

Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erion Braçe, kërkoi dje nga qeveria që aktiviteti i lojërave të fatit të kthehet në monopol shtetëror.

Gjatë zhvillimi të interpelancës me ministrin e Financave dhe të Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj, mbi ligjshmërinë fiskale të FSHF-së, deputeti Braçe u ndal edhe te çështja e mbylljes së lojërave të fatit dhe basteve sportive. Sipas Braçes, ndonëse lojërat e fatit janë parashikuar të mbyllen, disa segmente të ligjit nuk janë zbatuar dhe për këtë, qeveria duhet të ndërmarrë nismën që këtë treg ta kthejë në monopol shtetëror, ku, sipas tij, të ardhurat do të administrohen më mirë.

“Dua ta duartrokas Qeverinë për vendimin që ka marrë për të larguar bastet nga qendrat e banuara për t’i mbyllur fare, ashtu siç kam ngritur këtu në këtë sallë shqetësimin se ligji aktual për lojërat e fatit në disa segmente të tij nuk është zbatuar. Ajo që po ju them tani, është: Shtetëzoni aktivitetin e lojërave të fatit.

Kthejeni në monopol shtetëror dhe bëjeni që të mos kthehet në ndarje xhiroje pastaj nëpër bodrume apo në dhoma të tjera”, tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, duke shtuar se rreth 80% e xhiros së këtij aktiviteti nuk është i deklaruar në regjistrat fiskalë të shtetit. Ndërsa ministri i Financave, duke folur në foltoren e Kuvendit mbi këtë projektligj, u shpreh se për personat, që do të preken nga mbyllja e basteve sportive, do të zbatohet një program social për punësimin e tyre.

“Po përgatisim një program rikualifikimi për të gjithë ata që do të dalin të papunë nga shërbimet e kësaj industrie. Shërbimi Kombëtar i Punës ka nisur punën për hartimin e një programi specifik për një rikualifikim të detyrueshëm”, tha ministri Ahmetaj.

INTERPELANCA

Gjatë punimeve të seancës plenare u zhvillua dje edhe interpelanca ndërmjet ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe. Interpelanca konsistonte në ligjshmërinë fiskale të FSHFsë. Braçe u shpreh gjatë interpelancës se në Shqipëri nuk duhet të ketë persona me imunitet fiskal.

“Unë nuk pyeta se sa paguhen lojërat apo ekipet, pyeta prej muajit shkurt në mënyrën më të qartë, sa është tatimi mbi të ardhurat e personave që paguhen nga FSHF dhe, së dyti, sa është 10% që i takon buxhetit nga e drejta televizive që Federata ka fituar 10 vitet e fundit. Nuk mundet të ketë imunitet FSHF nga detyrimet tatimore. Pse i jepni imunitet atij institucioni, kur bëni detyrën dhe trokisni në çdo dyqan, kafene dhe qebaptore të këtij vendi. Nuk ta solla Rolandon ta krahasoje me Kristi Vangjelin, por për barazinë, për detyrimet”, tha deputeti Braçe.

Në replikën e tij, ministri i Financave, z. Arben Ahmetaj, theksoi se situata financiare në klubet e futbollit shqiptar duhet të formalizohet në mënyrë që të parandalohen rastet e evazionit. “Formalizimi në klubet e futbollit është emergjencë. Por, ajo që dua të them, është sporti ka shumë më shumë nevojë të formalizohet, pra, futbolli, por të gjitha sportet dhe besoj që formalizimi është një instrument për t’u kthyer dinjitetin atyre lojtarëve, që e mbani mend se i trajtuam si heronj në Kampionatin Europian”, tha z. Ahmetaj

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test