Paketa ‘Anti-shpifje’, Rama propozon pikat: Çdo lek i fituar, në fondin e edukimit - Bota Sot
Paketa ‘Anti-shpifje’, Rama propozon pikat: Çdo lek i fituar, në fondin e edukimit

Shqipëria

E hënë, 22 tetor 2018

Paketa ‘Anti-shpifje’, Rama propozon pikat: Çdo lek i fituar, në fondin e edukimit

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 16:29
Edi Rama

Në vijim të paketës anti-shpifje, për të cilën kryeministri Edi Rama ka kohë që flet, ai ka propozuar disa pika të cilat do t’i paraqesë në mbledhjen e zgjeruar të grupit të PS dhe qeverisë.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, ai i ka nxjerrë këto pika, pas akuzave të shumta që kanë ardhur nga radhët e opozitës për skandalet e fundit që janë kthyer në temë kryesore në vend.

Në postimin e tij, kreu i qeverisë thotë se çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit.

Postimi i plotë:

“Propozim për mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar dhe Qeverisë:

ÇDO SHPIFJE NË FONDIN E EDUKIMIT [????] [????] [????]

Asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk do të tolerojë më asnjë shpifje.

Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë.

Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur të themelit të edukatës e mirësjelljes qytetare, të cilin çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet. Çdo shpifje në gjyq!

Çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit. Ky fond do të krijohet prej nesh për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore.

Fondi i Edukimit, do të garantojë që paratë e ardhura nga gjyqet që do të bëjnë kryeministri, ministrat, deputetët, kryebashkiakët socialistë apo të tjerë veprimtarë të forcës sonë politike të gjendur përballë një shpifjeje, të shkojnë në destinacion, mbështetur në propozimin e fituesit të gjyqit.

Fondi i Edukimit do të ketë një bord drejtues, të zgjedhur me propozimin dhe miratimin e mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar e qeverisë. Ky bord do të trajtojë propozimet e lartpërmendura dhe është e vetmja instancë që mund të vendosë tërheqjen nga një proces gjyqësor për shpifje.

Në Partinë Socialiste do të ngrihet menjëherë Departamenti Antishpifje. I cili do të koordinojë dhe ndjekë ecurinë e betejës sonë frontale ligjore kundër Shpifjes.

Kazanpolitika dhe kazanmedia, s’mund ta kthejnë Shqiperinë në kazan. Shpifësit duhet të paguajnë dhe ne nuk do t’i kalojmë më në heshtje apo me reagime politike, fëlliqësitë e tyre. Çdo shpifje ndaj nesh, do ta kthejmë në të ardhura për Fondin e Edukimit.

Ngarkohet një grup pune, për përgatitjen e dokumentave të themelimit dhe funksionimit të Departamentit Antishpifje dhe Fondit të Edukimit. Këto struktura duhet të jenë operacionale, menjëherë pas kalimit në Kuvend të Paketës Antishpifje.

Ky propozim është i hapur për kontributet e çdo pjesëtari të mbledhjes së zgjeruar, por edhe propozimet e çdo miku të këtij rrjeti social janë të mirëpritura.

…Shënim për ju: Këshilli i Ministrave do të diskutojë së shpejti projekt-vendimin për reagimin e detyruar ligjor ndaj shpifjes, të çdo institucioni apo enti publik në Republikën e Shqipërisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test