Pasqyra e jetëgjatësisë së shqiptarëve! Veriu i varfër jetëshkurtër, më të moshuarit në jug

Shqipëria

Pasqyra e jetëgjatësisë së shqiptarëve! Veriu i varfër jetëshkurtër, më të moshuarit në jug

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 17:11
Ilustrim

Për vitin 2017, mosha mesatare e vdekjeve në Shqipëri llogaritet në 74.2 vjeç, sipas Institutit të Statistikave.

Ndërkohë që ka luhatje të dukshme nëse shohim secilin qark.

Kukësi dhe Dibra janë shumë më ulët sesa mesatarja e vendit, kurse në Gjirokastër, Berat dhe Korçë jetohet më gjatë.

Në qarqet ku është përqëndruar popullsia më e lartë, trekëndëshi Tiranë-Durrës-Elbasan, mosha e vdekjeve është pranë nivelit mesatar, por gjithsesi në kahun e poshtëm.

Më lart sesa mesatarja e vendit janë Lezha, Vlora, Fieri dhe Shkodra.

Por, cilët janë faktorët që ndikojnë në jetëgjatësinë e popullsisë. Profesor Adrian Civici thotë se faktorët lidhen me cilësinë e jetës, ushqimin, veshjen, strehimin, e deri te shërbimi shëndetësor.

Duke analizuar shifrat e INSTAT-it, rezulton se mosha më e ulët e vdekjeve është pikërisht në qarqet me varfërinë më të lartë.

“Edhe po t’iu referohemi shifrave konkrete, në këto zona niveli i varfërisë është më i lartë sesa në zonat e tjera, edhe niveli i investimeve është më i ulët. Por, përgjithësisht cilësia e jetës, ku futen brenda jo vetëm politikat publike në favor të shëndetit publik dhe cilësisë së jetës, por edhe niveli i formimit që ka shtresa sociale në këto zona, ndikojnë direkt në jetëgjatësi”, tha Adrian Civici.

Civici shton se duhen analizuar mirë faktorët që ndikojnë në jetëgjatësi dhe se shteti të fokusohet në hartimin e polikave që rrisin cilësinë e jetës në Shqipëri.

“Në mentalitetin tonë, me gjithë përparimet që kemi bërë, moshën e tretë vazhdojmë ta shohim si përgjegjësi e familjes, më shumë sesa kujdes dhe përgjegjësi e politikave publike dhe të shtetit. Ajo që ne hamë në tavolinë, blejmë dhe shumë gjëra të tjera nuk mund të jenë vetëm përgjegjësi e individit, apo zgjedhje e individit, por është edhe kujdes dhe pjesë e politikave publike që garantojnë një nivel më të lartë të shëndetit publik, të individit, të aftësisë së tij shumë më të mirë edhe për punë”, deklaroi Adrian Civici.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat