Akuzat e opozitës në PE, reagojnë eurodeputetët

Shqipëria

Akuzat e opozitës në PE, reagojnë eurodeputetët

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 18:02
Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit

Në mbledhjen e radhës të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri, mbajtur sot në Bruksel, opozita kërkoi largimin e Taulant Ballës si bashkëkryetar i delegacionit shqiptar në Parlamentin Europian.

“Ne nuk mund të rrimë e të votojmë deklarata me thirrje kundër krimit te korrupsionit me Ballën në presidium. Me Ballën shef delegacioni parlamentar sabotohet integrimin europian”, deklaroi nënkryetari i delegacionit, deputetit i PD, Genc Pollo.

Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri, eurodeputetja Monika Macovei duke i ndërprerë fjalën deputetit të PD, Genc Pollo, kërkoi nga deputetët e opozitës të respektojnë rendin e ditës.

“Në Parlamentin shqiptar duhet të jeni të gjithë bashkë. Nëse jo, ju nuk i shërbeni popullit shqiptar”, theksoi në fjalën e saj, kryesuesja e seancës, Monika Macovei.

Ajo theksoi se dialogu politik është shumë i rëndësishëm për suksesin e integrimit europian dhe për këtë arsye kërkoi bashkëpunimin e të gjitha partive. “Ne jemi këtu për të punuar për të mirën e popullit shqiptar. Në qoftë se populli shqiptar kërkon të fillojnë bisedimet dhe reformat në Shqipëri të ecin përpara drejt Europës, atëherë ne duhet të punojmë për këtë. Nuk jemi këtu për të mbrojtur partitë apo këdo tjetër. Këtu jemi për popullin shqiptar”, theksoi Macovei.

Pas ndërhyrjes së Macovei, opozita është larguar, qëndrim të cilin ajo e kritikoi ashpër.

“Ka ikur koha kur një grup mbështet një parti si-motër çfarëdo që të bëjë. Pra, partitë në Parlament nuk mbështesin parti të tjera qoftë edhe nga vende të BE-së kur ato bëjnë gabime, kur bojkotojnë Parlamentin apo gjëra që shkelin vlerat europiane. Sot ne pamë gjëra të kundërta. Flasim për dialog politik konstruktiv. Ku është? Përse të largohesh që në fillim ndërkohë që ke një deklaratë të përgatitur paraprakisht. Pra, ata erdhën këtu në Bruksel me paratë e qytetarëve shqiptarë të hanë një drekë të mirë dhe më pas të largohen dhe jo të kontribuojnë për popullin shqiptar. Këtu ne po diskutojmë të ardhmen europiane të popullit shqiptar”, tha ajo.

“Parlamenti Europian është një avokat i fortë i Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit më BE-në. Ne jemi të kënaqur të vëmë re progresin e bërë nga Shqipëria për plotësimin e 5 prioriteteve kyçe lidhur me gjyqësorin, në mënyrë të veçantë për procesin e vettingut dhe të tjera. Janë gjëra me të cilat jo çdo gjë po shkon mirë, por do të diskutojmë”, theksoi Macovei.

Eurodeputeti Fleckenstain i kërkoi opozitës që të bëjë detyrën e saj.
“Por ajo që pamë sot na shkakton shumë probleme në njëfarë mënyre. Ju lutem kuptoni. Unë nuk jam prokuror. Unë nuk jam efektiv policie. Nuk jam gjykatës. Unë ndoshta mund të besoj që zoti Balla është njeri i keq, ose jo, mund të besoj edhe histori të tjera që kam dëgjuar, ose jo, por ajo që kemi vërtet nevojë janë provat. Dhe jo se i duam ne, por prokurorët kanë nevojë për prova dhe nëse pastaj ndodh diçka dhe nëse Partia Demokratike ka plotësisht të drejtë, pastaj edhe ne do ta duhet të mendonim se si të komunikojmë dhe trajtojmë këtë. Kërkesa ime e vërtetë për PD-në është: bëni detyrën tuaj. Shkoni në Prokurori, sigurohuni që të gjitha këto histori të shkruara, apo verbale trajtohen në mënyrën më serioze dhe nëse ka diçka ka në to, atëherë të jeni të sigurt që jo vetëm unë si Raportues, por të gjithë kolegët e mi në Parlament do ta trajtojnë në mënyrën e duhur. Nuk është se nuk u besojmë, por është se nuk na lejohet t’u besojmë nëse nuk i nisni këto procedura normale”, deklaroi ai.

Ndërsa europarlamentari Eduard Kukan tha se opozita këto çështje duhet ti zgjidhë në parlamentin shqiptar.

“Sa i takon incidentit që ndodhi këtu, dua të them që, ashtu siç tha edhe zoti Fleckenshtajn, këtu u bënë akuza shumë të rënda, por këto çështje duhet të zgjidhen në Shqipëri dhe në Parlamentin shqiptar dhe jo në Parlamentin Europian”, tha ai. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat