171 ushtarakë nga FA dhe aleatët fillojnë vitin e ri akademik 2018-2019

Shqipëria

171 ushtarakë nga FA dhe aleatët fillojnë vitin e ri akademik 2018-2019

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 18:53
Akademia e Forcave të Armatosura

Akademia e Forcave të Armatosura ka hapur dyert për të nisur vitin e ri akademik 2018-2019. 171 ushtarakë nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, por edhe nga vende aleate e mike, do të ndjekin studimet këtë vit akademik në të gjitha programet që zhvillohen në Akademinë e Forcave të Armatosura, duke filluar nga kursi ku përgatiten oficerët, e rinj deri tek Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku përgatiten gjeneralët e ardhshëm.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka uroi nga afër të gjithë ushtarakët që ndjekin kurset këtë vit akademik në AFA, ku veçoi 59 kandidatët e rinj për oficerë dhe studentët ushtarakë shqiptarë që janë dërguar të studiojnë në akademitë ushtarake më prestigjioze botërore.

Në fjalën e saj ministrja Xhaçka kërkoi një vizion të ri, më cilësor për arsimimin dhe edukimin ushtarak, duke pasur parasysh llojet e specialistëve që përgatiten në AFA, por edhe strukturat ku ata shërbejnë. “Institucionet arsimore ushtarake duhet të jenë laboratori i përpunimit të mendimit teorik ushtarak. Për këtë, pa diskutim që na nevojitet një vizion i ri për arsimimin dhe edukimin ushtarak, me synim që ai të jetë sa më cilësor, më konkurrues dhe atraktiv dhe me më shumë vlera.

Ne nuk përgatisim thjesht oficerë, por ne përgatisim edhe specialistë të të gjitha fushave, për të cilat Forcat e Armatosura kanë shumë nevojë, si inxhinierë, informaticienë, financierë, mjekë, etj. Përgatisim personel që të na përfaqësojë në mënyrën më profesionale dhe më dinjitoze në strukturat dhe operacionet e NATO-s, BE-së, OKB-së, si dhe stërvitjet e përbashkëta me Aleancën”.

Më tej, ministrja Xhaçka i kushtoi rëndësi të madhe burimeve njerëzore në Forcat e Armatosura, duke e vënë theksin te meritokracia. ”Edukimi dhe rritja e profesionalizmit të burimeve njerëzore do të mbetet një nga prioritetet tona kryesore dhe për këtë qëllim po punojmë për të garantuar edukim sipas standardeve bashkëkohore, si dhe për të zhvilluar politika të cilat sigurojnë dhe garantojnë ecurinë në karrierë dhe meritokracinë në radhët e Forcave të Armatosura.

Pa diskutim që qëllimi ynë është të planifikojmë të ardhmen e Forcave tona të Armatosura dhe do të investojmë në funksion të këtij objektivi të gjitha energjitë tona në arsimimin dhe edukimin e tyre”, – u shpreh ministrja Xhaçka.

Për vitin akademik 2018-2019 në Akademinë e Forcave të Armatosura po zhvillohen Kursi i Përgatitjes së Oficerit të Ri, Kursi i Lartë i Oficerit, Kursi Themelor i Oficerit të Shtabit, Kursi i Komandës së Shtabit të Përgjithshëm dhe Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku marrin pjesë ushtarakë të lartë nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Gjeorgjia dhe Kosova. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat