Princi i Monakos nis vizitën dy ditore në Shqipëri

Shqipëria

Princi i Monakos nis vizitën dy ditore në Shqipëri

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 15:58
Princi i Monakos, Alberti II dhe Ilir Meta

Princi i Monakos, Alberti II, nisi sot një vizitë dy ditore në vendin tonë, vizita e parë e një monarku të Principatës së Monakos në Shqipëri.

Pas ceremonive të mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve të te dy vendeve, Presidenti Meta dhe Princi Albert i II zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.

Meta vlerësoi vizitën e Princit Albert i II në Shqipëri dhe nënvizoi se, në këto shtatë vite marrëdhëniesh diplomatike,  bashkëpunimi midis Republikës së Shqipërisë dhe Principatës së Monakos është zhvilluar në mënyrë shumë pozitive.

“Vizita e Princit Albert i II është shprehje e qartë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për t’i nxitur e zhvilluar më tej këto marrëdhënie”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Presidenti shqiptar vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit konkret, në fushat ku eksperienca dhe ekspertiza e Monakos është shumë e njohur ndërkombëtarisht, si në turizëm e në mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, inovacion e teknologjinë, në shërbimet financiare, trajnimin profesional e në fusha të tjera me interes.

Kreu i Shtetit kërkoi gjithashtu nxitjen e biznesit të Monakos që të eksplorojë dhe investojë në tregun shqiptar.

Duke iu referuar përkatësisë mesdhetare të të dy vendeve,  Presidenti Meta dhe Princi Albert II i Monakos nënvizuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së ambientit dhe të biodiversitetit.

Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Fondacioni  Princit të Monakos dhe Shoqata për financim të qëndrueshëm të Zonave të Mbrojtura Detare në Mesdhe, po i japin strukturave dhe shoqatave përgjegjëse shqiptare për mbrojtjen dhe promovimin e burimeve natyrore dhe zonave të mbrojtura detare shqiptare.

Të dy Krerët e Shtetit vlerësuan angazhimet në kuadër të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, duke nënvizuar interesin për të bashkëpunuar ngushtë në këtë drejtim.

Presidenti Meta dhe Princi Albert i II u shprehën dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe konfirmuan rëndësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha organizatat ndërkombëtare ku bëjnë pjesë, në interes të paqes, stabilitetit e zhvillimit të qëndrueshëm.

Në fund të bisedimeve zyrtare, në praninë e të dy Krerëve të Shteteve, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi nga Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, me anë të së cilës palët bien dakord të identifikojnë fushat e veçanta të bashkëpunimit dhe t’i promovojnë më tej ato.

Gjithashtu, u nënshkrua edhe një marrëveshje financimi mes Fondacionit të Princit Albert i II të Monakos me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Vlorës dhe Shoqatës për mbrojtjen e burimeve natyrore “Pisha Flamur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat