Shembujt për rritjen e pensionit, formula me ligjin e ri - Bota Sot
Shembujt për rritjen e pensionit, formula me ligjin e ri

Shqipëria

E shtunë, 17 nëntor 2018

Shembujt për rritjen e pensionit, formula me ligjin e ri

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 13:17
Ilustrim

Reforma e pensioneve ndryshon sërish, me një projektligj që është hedhur për diskutim nga Ministria e Financave. Kjo për shkak të problemeve të paparashikuara që janë hasur gjatë 3 viteve e që sipas qeverisë kanë nevojë të zgjidhen. Problematika është shfaqur në caktimin e pensioneve të fshatit e më konkretisht për të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët për zonat fushore aktualisht paguajnë 38.400 lekë në vit ndërsa për zonat malore 29.400 lekë, çka sipas ministrisë paraqet diferencë të ndjeshme me të vetëpunësuarit në qytet, të cilët paguajnë 66.240 lekë në vit. Deri më tani diferenca është paguar nga buxheti i shtetit, por për të shmangur, atë që dikasteri i financave e quan diskriminimin midis të vetëpunësuarve, propozohet që të vetëpunësuarit në bujqësi kanë detyrimin të paguajnë kontributet e llogaritura mbi një pagë minimale për ta, që mbetet për t’u përcaktuar me vendim qeverie. Kjo do të thotë se masa e kontributit të sigurimeve shoqërore që do të paguhet do të jetë sa 23% e kësaj page. Për shembull, nëse paga minimale për të vetëpunësuarit në fshat do të përcaktohet në masën 20 mijë lekë, atëherë masa e kontributit do të shkojë në 55.200 lekë në vit. Gjithashtu, në rast se të vetëpunësuarit në bujqësi do të duan të kontribuojnë më tepër, me qëllim për të përfituar një pension më të lartë, atëherë do të kenë mundësinë që mund të paguajnë edhe mbi nivelin e pagës minimale në shkallë vendi, që sot është 24 mijë lekë në muaj.

Koeficientet

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar shembujt, se si përfitohet një pension më i lartë, me koeficientet e rinj. Të gjitha pagat e vjetra para dhe pas vitit 1994, shumëzohen me një koeficient, në mënyrë që të përfitohet një pension më i lartë. Kjo për faktin se pensionet llogariten 1% e pagës mbi të cilën janë paguar kontributet, shumëzim numrin e viteve të punës, plus pensionin social.

Shembujt

Shembulli me pagë 4 mijë lekë: Një pagë 4 mijë lekë para vitit 1994, shumëzohet me koeficientin 8.76 dhe për llogaritjen e pensionit sot, merret si pagë referuese 35 mijë lekë sot. Kjo do të thotë se ISSH duhet të llogarisë pensionin mbi pagën 35 mijë lek.

Shembulli me pagë 6 mijë lekë: Një pagë 6 mijë lekë para vitit 1994, shumëzohet me koeficientin 8.76 dhe për llogaritjen e pensionit sot, merret si pagë referuese 52 mijë lekë sot. Kjo do të thotë se ISSH duhet të llogarisë pensionin mbi pagën 52 mijë lek.

Shembulli me pagë 8 mijë lekë: Një pagë 8 mijë lekë para vitit 1994, shumëzohet me koeficientin 8.76 dhe për llogaritjen e pensionit sot, merret si pagë referuese 70 mijë lekë sot. Kjo do të thotë se ISSH duhet të llogarisë pensionin mbi pagën 70 mijë lek.

Pensionet pas 1994-s

Çdo pagë deri në vitin 2015 shumëzohet me një koeficient për të llogaritur më pas pensionin. “Pagat para 1994-s bashkohen me pagën ose kontributin që ka derdhur secili. Për të llogaritur pensionin, të dyja periudhat(para dhe pas 1994-s) bashkohen dhe merret parasysh 1% e kontributit që është derdhur. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për efekt të llogaritjes së pensioneve, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese, sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 1.1.1994, si edhe mbi pagat individuale, mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 1.1.1994 deri në 31.12.2014, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2014 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës”,  përcakton ligji për sigurimet shoqërore.

Pensioni i reduktuar me koeficient të ri

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar së fundmi manualin që përcakton përfitimet që lindin nga sigurimet shoqërore. ISSH-së mbështetet në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, të ndryshuar, VKM-ve, Udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe të ISSH-së, të cilat kanë dalë në zbatim të Ligjit të sigurimeve shoqërore, llogarit dhe jep përfitimet, të cilat sqarohen në manualin e fundit. Sipas institucionit, një grua, aktualisht duhet të jetë 60 vjeçe e 6 muaj, në mënyrë që të përmbushë kriteret e daljes në pension. Kjo pasi, sipas reformës parashikohet një rritje graduale e moshës dhe vjetërsisë në punë, çka lidhet direkt me masën e pensionit. Rritja e moshës prek vetëm gratë, të cilat përgjatë gjithë vitit 2018 do të dalin në pension pikërisht në moshën 60 vjeçe e 8 muaj dhe jo 60 vjeçe, që parashikohej në ligjin e vjetër. Kjo pasi, me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë. ISSH referon se ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se, nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi, nga data 1 janar 2018 duhet të ketë 36 vjet e 4 muaj. E njëjta logjikë vlen edhe për femrat.

Pensioni i reduktuar

Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6 % në muaj. Për shembull, në qoftë se një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24.000 lekë, do t’i zbritet 12 % (që del nga prodhimi i 20 muajve që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 0.6 %, që është koeficienti i miratuar).

Mosha dhe llogaritja, si ndryshuan pensionet

Në vitin 2018, pagat mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2017, pas indeksimit të tyre me koeficientet vjetorë, nuk mund të jenë më të larta se: a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për efekt të pagimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore në vitin 2018, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri më 31.12.2001; b) paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për efekt të pagimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore në vitin 2018, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.

Masa

Rritja graduale e vjetërsisë ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se është një prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij. Sipas formulës së re, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social që është 7.065 lekë, shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë. Në këtë pjesë të formulës kemi ndikimin në uljen e masës së pensionit, duke qenë se pjesëtimi do të bëhet me një numër më të madh. Për shembull, nëse kemi një person me 40 vite punë, për të përllogaritur pensionin bazë duhet të bëjmë këtë veprim: 7.065×40/36 = 7.850 lekë. Ndërkohë që vitin e kaluar, baza e pensionit me këto të dhëna do të ishte 7665 lekë, pra rreth 185 lekë më e lartë. Ndërkaq, pensioni përbëhet edhe nga një shtesë që është 1% shumëzim vitet e sigurimit shumëzim pagën mesatare. Paga mesatare përllogaritet në bazë të pagave bruto të deklaruara ndër vite, të cilat indeksohen me koeficientet përkatës, për t’i aktualizuar me tregun. Kjo bëhet duke i mbledhur pagat e deklaruara bruto (pas indeksimit) për çdo muaj dhe duke i pjesëtuar me numrin e muajve për të cilët janë derdhur këto paga. Pasi të kemi nxjerrë dhe vlerën e pagës mesatare, atëherë do të mund të përllogarisim dhe shtesën. Nëse supozojmë se kemi një person me 40 vite punë dhe me një pagë mesatare 45 mijë lekë, atëherë, në bazë të formulës kemi: 1% x 40 x 45.000 = 18.000 lekë. Në total ky person do të përfitojë: 7.850 + 18.000 = 25.850 lekë si pension pleqërie

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test