Shërbime me shpejtësi e kushte dinjitoze nga transformimi i Ambasadës shqiptare në Athinë

Shqipëria

Shërbime me shpejtësi e kushte dinjitoze nga transformimi i Ambasadës shqiptare në Athinë

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 09:06
Ambientet e ambasadës shqiptare në Athinë

Ambientet tërësisht të rikonstruktuara të shërbimeve konsullore të ambasadës shqiptare në Athinë, ofrojnë kushte bashkëkohore për shërbim ndaj qytetarëve me transparencë, shpejtësi dhe efikasitet.

Ambasada shqiptare në Athinë është një nga konsullatat ku marrin shërbim numri më i madh i shqiptarëve jashtë atdheut. Përveç shërbimeve konsullore online, pothuajse çdo ditë në konsullatë marrin shërbimin afro 100 persona.

“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga ambientet tërësisht të transformuara të Ambasadës Shqiptare në Athinë, ku edhe aty tanimë shërbimet ndaj qytetarëve ofrohen me shpejtësi në kushte dinjitoze e bashkëkohore, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Edi Rama.

“Kam ardhur në Greqi para 27 vitesh dhe pas 5-6 vitesh, kjo është hera e parë që kam ardhur për një prokurë në ambasadë. Sa erdha mora një numër dhe shërbimi është komplet tjetër. Më përpara vinim për 5 ditë rresht, harxhonim lekë dhe nuk mbaronim punë. Tani falë vëmendjes së qeverisë nuk ndihemi më si qytetarë të dorës së tretë”, tha Tatjana.

Ndryshimin drastik në ambientet dhe shërbimet e ofruara e evidentoi edhe një tjetër shtetas shqiptar që merrte shërbimin në këtë ambasadë. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat