Ky është vendimi i gjykatës për Stresin

Shqipëria

Ky është vendimi i gjykatës për Stresin

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 12:51
Stresi

Gjykata ka vendosur të lërë në burg reperin e njohur Arkimed Lushaj. Stresi ka dalë sot para Gjykatës ku u bë rivlerësimi i masës së sigurisë.

Stresi akuzohet për trafik droge dhe krime kundër personit. Ai u arrestua mbrëmjen e së mërkurës ndërsa ishte në një dhomë hoteli në periferi të Tiranës në shoqërinë e një vajze.

“Ndalimi i këtij shtetasit u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit’”, thuhej në njoftimin e policisë.

Gjatë arrestimit të këtij shtetasi në ambientet e një hoteli në zonën e Linzës, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta” , si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.

Burime nga policia thanë për “BalkanWeb” se Arkimend Lushaj ishte prej 1 viti në përgjim. Ai është përgjuar teksa komunikon me disa persona për trafikun e drogës. Po kështu në përgjimet ambientale dhe ato telefonike Stresi është kapur duke orientuar shitësit të çojnë drogë në disa vende kryesisht lokale.

Po kështu burime të sigurta thanë se në grupin kriminal Stresi nuk ka rol drejtues por periferik.
Urdhër arresti ndaj tij u ekzekutua dy net më parë pasi kishte informacion se do ikte jashtë shtetit.

Ndërkaq burime nga policia bëjnë të ditur se në ditët në vijim të ketë arrestime të tjera në Tiranë, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal ku bënte pjesë dhe Stresi.

Ky grup dyshohet se vepronte me shitjen e drogës në zonën e bllokut, por edhe ne periferi të Tiranës. Policia po mban në vëzhgim edhe disa persona të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat