Krimet e Rënda mbyllin hetimet për 'Babalen', transferojnë dosjen te Prokuroria e Tiranës

Shqipëria

Krimet e Rënda mbyllin hetimet për 'Babalen', transferojnë dosjen te Prokuroria e Tiranës

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 15:16
Albert Veliu (Babalja) gjatë denoncimit nga selia e PD

Pas administrimit të 15 deklarimeve, mes tyre edhe politikanë, Krimet e Rënda mbyllin hetimet për dosjen "Babale". Report Tv mëson ekskluzivisht se dosja do t'i kalojë për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të kallëzimit të rremë. 

Dy javë më parë Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën "Babalja" dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti. "Babalja" pretendon se ka regjistruar Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, por nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, nuk vërtetohet se zëri që dëgjohet në audio është i Agron Xhafajt. Ndërsa nga ana tjetër, ishte dëshmia e Fredi Alizotit në Prokurori i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.

Urdhër-arresti për Fredi Alizotin është ekzekutuar, ndërsa për Albert Veliun Gjykata e Prishtinës vendosi të rrëzojë kërkesën e autoriteteve shqiptarë për të mbajtur në burg "Babalen", pasi ai kishte aplikuar për statusin e azilantit, me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë iu është drejtuar autoriteteve të Kosovës me një shkresë ku kërkon ekstradimin e "Babales".

Për dosjen "Babale" kanë dëshmuar në Prokurori zyrtarë të lartë të shtetit si kryetari i grupit parlamentar socialist Enkelejd Alibeaj, deputetët e PD, Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj, eksponenti pranë PD, Sali Lushaj si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat