Përgjimet ndaj grupit “Bajri” kapën këngëtarin Stresi

Shqipëria

Përgjimet ndaj grupit “Bajri” kapën këngëtarin Stresi

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 10:32
Arkimed Lushaj

Për më shumë se dy orë Gjykata e Tiranës ka zhvilluar seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë ndaj Arkimed Lushajt, i njohur nga të gjithë me emrin Stresi, ndërsa në fund dha dy masa sigurie dhe  të dyja për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”. Ndërkohë, nga organi i prokurorisë, u zbulua se kanë qenë përgjimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për grupin “Bajri”, të arrestuar rreth një muaj më parë, që kanë nxjerr zbuluar Stresin për një armë të cilën e kishte pasur në posedim në muajin korrik.

Në këtë kohë, ai e kishte hedhur në ambientet e një gjimnazi në Tiranë dhe ishte larguar, ndërsa policia nuk kishte bërë dot të mundur, identifikimin e tij. Masa tjetër e sigurisë, ishte për armën e gjetur në hotel gjatë arrestimit katër ditë më parë. Kujtojmë se Stresi u arrestua në një hotel në Linzë dhe gjatë kontrollit të ushtruar i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta” , si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.

Ndërkohë në seancën e djeshme, këngëtari përfaqësohej nga avokati Mirash Ibraj, i cili e ka konsideruar si të paligjshme të dyja masat e dhëna nga gjykata ndaj klientit të tij. “Jemi në paligjshmëri në të dyja vendimet e gjykatës. E para konsiston në faktin se nuk mund të akuzosh Arkimed Lushën mbi bazën e përgjimeve, sepse përgjimet nuk janë prova, por janë mjet për të shkuar tek prova. Vepra e parë dhe për armën e parë nuk duhet të përgjigjet. Për armën e dytë jemi përpara një paligjshmërie tjetër më të rëndë, sepse është kontrolluar hoteli pa vendim gjykate dhe nëse mund të adresohet në kushtet e arrestit të flagrancës, i mbrojturi prej meje duhej të asistohej me një avokat”, tha Mirash Ibraj, avokat i Arkimed Lushajt.

Përgjimet  

Ndërkohë, nga përgjimet e kryera që nisin në qershor të 2018 deri në korrik, vihen re shumë biseda të këngëtarit më një mikun e tij, ku i tregon se si i është larguar policisë, duke hedhur armën në një ambient me barë në oborrin e shkollës “Partizani” dhe ishte larguar.

“Po, edhe e hudha unë atë, e kupton po e kanë kap, por s’kanë pa mu, që e kam hudh. Erdhën aksion, ika me gjysmë zemre, kam lëviz”, i thotë ai mikut të tij, ndërsa i kërkon që të kontaktojë me babanë e tij Sali Lushën dhe ta pyes se çfarë ka ndodhur. Jam këndej ke një shok. Po fol pak me Salën, bjeri pak dhe fol pak me të. “Mere njëherë, pyete ça bëhet, ça situate është? Merre njëherë të lutem”, vazhdon ai.

Ndërkohë në një bisedë tjetër, ai i thotë shokut të tij se është në kërkim dhe i pohon atij se shefi ia kishte bërë me dorë që të largohej sapo e kishte parë atë dhe këtë gjë i kishte thënë edhe babait të tij, Sali Lushaj. Ky i fundit, ka marrë shefin e komisariatit, sipas të cilit kishin informacion se ai kishte një armë. Miku i Stresit, thotë gjatë bisedës se kishte telefonuar dikush dhe kishte informuar se ai mbante armë, shkruan shekulli. Në këtë bisedë, Stresi tregon se shefi ia ka bërë me dorë që të largohet. “Ai shefi tha, ja kam bë me dorë të parit, atij i thashë ik. Të parit, ty ta ka bo me dorë, a ta boni me dorë ik?”, thotë miku i Stresit. Nga ana tjetër, ky i fundit ia konfirmon një gjë të tillë.

Arrestimi

Policia e Shtetit në njoftimin e bërë për arrestimin e Stresit, shkruan se veprat penale për të cilat akuzohet Stresi janë “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe të municioneve” dhe “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, por në akt-akuzën e prokurorisë, kjo pjesë nuk përmendet. Ndërkohë, policia njoftoi gjithashtu se, nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen, filloi procedimi penal në gjendje të lirë në lidhje me veprën penale të “Mos kallëzimit të krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal ndaj shtetases me inicialet P.Ç., 20 vjeçe, banuese në Tiranë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat