Autoriteti i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, reagim ndaj partisë Demokratike

Shqipëria

Autoriteti i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, reagim ndaj partisë Demokratike

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 17:48
Foto ilustrim

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit thotë se deri më sot, pranë këtij institucioni nuk është paraqitur asnjë kërkesë e shoqëruar me formularët përkatës të plotësuar nga vetë subjektet dhe Organet e Vlerësimit Kalimtar sipas ligjit (Vetingu në polici). Reagimi vjen pas deklaratës së sotme të deputetit të partisë Demokratike, Gent Strazimiri, sipas të cilit Vetingu në polici është ndërprerë pas verifikimit se 534 drejtues të lartë të Policisë së Shtetit kanë patur lidhje me Sigurimin e Shtetit.

Partia Demokratike i kërkoi Autoritetit të publikojë emrat, duke marrë sqarimin e institucionit se nuk ka pasur asnjë kërkesë për subjektet e Vetingut në polici.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sqaron se “institucionet Kushtetuese, Autoritete Publike, përfshirë edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit,  kanë paraqitur në vijimësi pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kërkesa ku është kërkuar vlerësimi i cilësive etiko – morale dhe profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit në nivel drejtues në raste të emërimit apo ngritjes së tyre në detyrë”.

Rezultatet e verifikimit për çdo rast janë komunikuar institucioneve të cilat kanë paraqitur kërkesën dhe në asnjë rast nuk ka pasur nga ana jonë ndërprerje të procesit të filluar.

“Menjëherë, me disponimin e një kërkese të tillë ligjore, Autoriteti në zbatim të ligjit, do të kryejë procesin e verifikimit të figurës së çdo punonjësi që i nënshtrohet kontrollit, konkretisht nëse ka qenë person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm, anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit për të drejtën e informimit me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Autoritetit.

“Në përfundim, evidentojmë rolin parësor dhe mjaft të rëndësishëm të Autoritetit në zhvillimin e procedurave të deritanishme në tërësi por dhe kryerjen në veçanti të procedurave të vlerësimit të cilësive etike morale dhe profesionale të kandidatëve për t´u zgjedhur në organet e vetingut KPK dhe KPA dhe atyre për t´u zgjedhur anëtarë të KED, KLP dhe KLGJ, jo vetëm brenda standarteve të kërkuara dhe në kohë reale, por më e rëndësishmja, brenda kornizave që ligji i ngarkon atij”, përfundon institucioni. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat