Leja prindërore për gjyqtarin Gjin Gjonaj, reagon KLD…

Shqipëria

Leja prindërore për gjyqtarin Gjin Gjonaj, reagon KLD…

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 19:30
KLD

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka reaguar në lidhje me akuzat e Ministrisë së Drejtësisë, e cila në një konferencë tha se ky institucion i ka dhënë leje prindërore Gjin Gjonit në më nurë të jashtëligjshme.

KLD thotë se ministrja Gjonaj nuk ka qenë e pranishme në këtë mbledhje, dhe se deklarata e sotme ka qenë e pasaktë. KLD thekson se vendimi për leje është marrë me kuorum të plotë, dhe se vetë gjyqtari Gjonaj nuk ka qenë i pranishëm  në këtë mbledhje.

Reagimi i KLD

Zëdhënësi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i është përgjigjur interesit të medias dhe pyetjes sonë në lidhje me deklaratën publike të Ministres së Drejtësisë, e cila kundërshtonte vendimin më të fundit të KLD-së “Për miratimin e Lejes prindërore për gjyqtarin Gjin Gjoni”.

Mbi këtë dekaratë ai sqaroi se: Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zhvilluar mbledhjen e tij më datë 11.10.2018, në të cilën përveç dy çështjeve të caktuara në rendin e ditës është miratuar dhe përfshirja për shqyrtim në këtë mbledhje edhe kërkesa e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë z.Gjin Gjoni për leje prindërore. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese KLD ka vendosur: “Të miratojë kërkesën për leje prindërore për një periudhë 2 vjeçare, gjyqtarit Gjin Gjoni, për funksionin si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë”.

Në lidhje me deklaratën e Ministres së Drejtësisë, shprehim keqardhjen për pasaktësitë në përmbajtjen e saj, pasi së pari duhet sqaruar se anëtarja e KLD-së zj.Etilda Gjonaj, nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, megjithëse është njoftuar për zhvillimin e saj.  Në kushtet kur Ministrja Gjonaj nuk ka qenë prezent në mbledhjen e zhvilluar, deklarata e saj për mungesë transparence nga KLD, nuk është objektive dhe aspak korrekte në citimet e saj.

Është i pavërtetë gjithashtu dhe deklarimi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk ka patur kuorumin e nevojshëm për vendimarrje, pasi kuorumi vendimmarrës i KLD-së mbi këtë çështje pasqyrohet qartësisht dhe në mënyrë transparente në procesverbalin e mbledhjes të publikuar. Gjithashtu sqarojmë se z.Gjin Gjoni, nuk ka marë pjesë në votimin e kësaj pike shtesë të rendit të ditës.

Në funksion të pyetjes suaj, sqaroj se, çdo pretendim apo kundërshtim që mund të ketë, jo vetëm Ministrja e Drejtësisë, por dhe çdo anëtar tjetër i KLD-së, është i mirëpritur t’i paraqesë së pari me pjesëmarrje e tij në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke përmbushur kështu funksionin e anëtarit të këtij organi përsa kohë ky organ do të jetë funksional.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat