Gjykata e Apelit lë në burg Ervis Martinajn dhe Eljo Haton

Shqipëria

Gjykata e Apelit lë në burg Ervis Martinajn dhe Eljo Haton

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 13:52
Ervis Martinaj

Gjykata e Apelit Tiranë, zhvilloi dje seancën për shqyrtimin e ankimit të bërë nga avokatët e Ervis Martinajt dhe Eljo Hatos, të përfshirë në shkëmbimin e zjarrit në ish-Bllok, 3 javë më parë. Ndërkohë që avokatët pretenduan lirimin e klientëve të tyre, duke kërkuar shuarjen e masës së sigurisë, prokuroria kërkoi lënien në fuqi, kërkesë e mbështetur edhe nga Gjykata, që vendos të lërë në burg Martinajn dhe Haton, të paktën deri në seancën që do të zhvillohet pas përfundimit të afatit 30 ditor, të vendosur nga Shkalla e Parë, me qëllim që prokuroria të sillte prova të tjera. Seanca e djeshme, filloi në orën 12:00 të mesditës dhe zgjati më pak se një orë, ku në fund, gjyqtarët e panë të arsyeshme që dy të arrestuarit të qëndrojnë me të njëjtën masë sigurie. Jashtë ambienteve të Gjykatës, folën edhe dy avokatët e të arrestuarve, të cilët e konsideruan të padrejtë vendimin.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit ishte për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Nuk rezulton që të ketë ndonjë provë, sado të vogël që mund ta lidh Martinajn, me ngjarjen e datën 4 tetor. Vendimi u dha që t’i jepej kohë Prokurorisë për të hetuar, për të bërë ca prova të reja, duke marrë në konsideratë që bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë dhe pasojat në opinionin publik”, tha Mirash Martini. Më tej, ky i fundit, komentoi edhe arrestimin e Redi Popescut, për faktin se ka fshehur një armë. Martini e konsideroi të gjithë këtë si një mashtrim dhe të pavërtetë.

“Nuk e di ku e keni marrë informacionin që lidhet me faktin se Redi Popesku paska fshehur një armë të Ervis Martinaj. Natyrisht që ky është një manipulim, mesa duket për të krijuar opinionin se Ervis Martinaj kishte armë duhet të akuzosh njeriun që ka fshehur armën. Duhet të provosh faktin që kishte një armë, por ju siguroj që nuk ka mundësi të provohet ky fakt, sepse nuk ekziston dhe nuk ka pasur armë”, tha ai. Më tej, për mediat foli edhe avokati i Eljo Hatos, i cili ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve.

Ai tha se do ta ndiqnin më tej çështjen, për lirimin e klientit të tij nga masa e sigurisë, duke thënë se ata do ta ndjekin të vërtetën në rrugë ligjore. Kujtojmë se, Policia e Tiranës arrestoi mbrëmjen e të shtunës, në lokalin e tij në ish-Bllok, Redi Popescun, pasi akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës, për masakrën e 3 javëve më parë. Nga hetimet për përplasjen me armë, ku mbeti një i vdekur dhe dy të plagosur, prokuroria ka krijuar dyshimin se 40-vjeçari me veprimet dhe mosveprimet e tij, është duke penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Në fillim të këtij muaji, në lokalin “Monopol” në ish-Bllok, pati shkëmbim zjarri, ndërsa sipas policisë, pjesë e konfliktit ishin Ervin Mata, Mevjol Bilo dhe Fabiol Alushi, të shpallur në kërkim dhe Ervis Martinaj, Eljon Hato, të plagosur dhe Fabian Gaxha, i cili mbeti i vdekur në vend, nga plagët me armë zjarri. Kur kanë kaluar rreth tre javë, policia dhe prokuroria ende nuk ka arrestuar tre të shpallurit në kërkim dhe nuk ka një version zyrtar mbi shkakun dhe mënyrën se si u zhvillua përplasja me armë. Ndërsa duket se një “kontribut” për mos zbardhjen e saj, e ka dhënë edhe Popescu, i cili ishte një nga dëshmitarët kyç të kësaj ngjarje të rëndë. Burimet thonë se Popescu, ka refuzuar të dorëzojë një armë pranë autoriteteve, që ata të mund të kryejnë ekspertizat e mundshme, gjithashtu edhe dëshmia e dhënë para hetuesve nuk është e besueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat