Bastet dhe kazinotë në Shqipëri mbyllen më 31 dhjetor

Shqipëria

Bastet dhe kazinotë në Shqipëri mbyllen më 31 dhjetor

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 14:24
Kazino

Mazhoranca ri konfirmoi vullnetin e palëkundur për t’i mbyllur të gjitha “lojërat e fatit” në republikën e Shqipërisë.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave votoi sot në parim, dhe nen për nen, ligjin e ndryshuar të “lojërave të fatit”, i cili parashikon mbylljen e të gjitha basteve sportive dhe ato online, garave të ndryshme, bingove dhe kazinove në datën 31 dhjetor të 2018.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj u tregua i prerë, duke theksuar se “nuk ka kthim mbrapa” për këtë vendim. Ministri Ahmetaj theksoi se administratës tatimore tashmë i lind detyra për të mbledhur të gjitha detyrimet tatimore të subjekteve të “lojërave të fatit” të cilat do të mbyllen në datën 31 dhjetor 2018.

Kreu i komisionit parlamentar të ekonomisë Erion Braçe përgëzoi deputetët socialist të cilët nuk u lëkunden për asnjë moment nga presionet që kanë pasur gjatë këtyre dy javëve dhe votuan propozimin e qeverisë për mbylljen e “lojërave të fatit”, transmeton atsh.

Braçe propozoi që ligji të hyjë në fuqi menjëherë, pasi të votohet në parlament.

Kreu i komisionit të ekonomisë tha se edhe Presidenti Ilir Meta e ka mbështetur vendimin dhe “besoj se do ta pranojë këtë propozim që ligji të hyjë në fuqi menjëherë pas votimit në parlament”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat