Banda e Shijakut, zbardhet roli i efektivëve të policisë të arrestuar

Shqipëria

Banda e Shijakut, zbardhet roli i efektivëve të policisë të arrestuar

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 15:53
Banda e Shijakut

Në rrethin e gjerë të personave të arrestuar me urdhër të prokurorisë si të përfshirë në grupin e strukturuar kriminal  të Shijakut ka edhe efektivë policie. Në përgjimet e prokurorisë shihet se një prej efektivëve të Fierit, Bledar Koçi, informonte anëtarët e grupit për veprimet e prokurorisë dhe Astrit Gjyriqi   që jo vetëm jepte informacion për hyrje-daljet por dhe ndihmonte kalimin e personave me precedentë.

Nga përgjimet e bandës së Shijakut, prokuroria ka zbuluar edhe disa bashkëpunëtorë të tyre në radhët e organeve të rendit.

Një ndër ta ka qenë edhe oficeri i policisë, Bledar Koçi, i cili kishte lidhje me një nga eksponentët e grupit të Shijakut, Hajri Seferin.

Bledar Koçi punonte në Fier në sektorin kundër narkotikëve.

Nga hetimet rezulton se Koçi ka ndihmuar anëtarët e grupit kriminal dhe konkretisht nëpërmjet shtetasit Hajri Seferi, duke shfrytëzuar të dhënat dhe pozicionin e tij.

Bledar Koçi ishte informator i Hajri Seferit dhe anëtarëve  të tjerë të grupit të strukturuar kriminal. 

Madje sipas prokurorisë ai ka sjelle probleme  për hetimet, duke i informuar anëtarët e grupit  për veprimet e prokurorisë.

Nga një përgjim rezulton se Koçi ka informuar Seferin në lidhje me  GPS audiolokalizuese që ishte vendosur në automjet.

Pajisja e cila u zbulua nga të dyshuarit pas disa ditësh të vënë në makinë dhe organet hetimore u detyruan ta çinstalonin. 

Ndërsa, Astrit Gjyriqi, punonjës policie në pikat kufitare, sipas Prokurorisë rezulton se bënte të mundur lejimin e kundraligjshëm të personave  me precedentë penal  pa të drejtë të kalimit të kufirit.

Gjithashtu ai rezulton se ka shumë komunikime me anëtarët e grupit të strukturuar kriminal të familjes Avdyli në Shijak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat