Rama i 'shtrëngon rripin' të burgosurve, por i druhet drejtorëve të korruptuar

Shqipëria

Rama i 'shtrëngon rripin' të burgosurve, por i druhet drejtorëve të korruptuar

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 17:48
Ilustrim

Bardhyl Kaçorri është drejtori i ri i Policisë së Burgjeve, i cili u prezantua këtë të martë në një ceremoni të posaçme nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë Edi Rama, shfrytëzoi këtë takim për të theksuar disa nga ndryshimet thelbësore që do të pësojë siguria në burgje. Një sistem monitorimi me kamera, dhe për bllokimin e valëve të telefonit dhe të internetit që rëndom përdoren nga të burgosurit të cilit i sigurojnë përmes ryshfetit ose fshehjes së tyre mes ushqimeve e veshmbathjeve që u vunë nga të afërmit.

“Burgjet do të pajisën me një sistem special për bllokimin e valëve të telefonave dhe internetit, si dhe do të krijohet një sistem i ri me rregulla strikte, ndërsa do të vendosen dhe kamera për monitorim 24 orë, të cilat do të fillojnë të vihen në punë nga burgu 313”, tha shefi i mazhorancës.

Sistemi i kamerave do të monitorohet jo vetëm nga burgjet e sigurisë së lartë dhe ato të rëndësisë së veçantë por edhe nga struktura "Forca e Ligjit".

Rama tha para punonjësve të sistemit penitenciar se nuk do të ketë asnjë tolerim për këdo që bashkëpunon me elementë kriminalë.

Bashkë me drejtorin e ri të policisë së Burgjeve, Rama prezantoi edhe disa ndryshime që do të pësojnë vetë efektivët. Së pari premtoi rritje të rrogave, dhe ktheu sytë nga ta kur tha se do të ndryshohen uniformat e policëve të burgjeve. "Më vjen turp ta them këtë, por do ju japim uniforma të reja. Sepse partitë e tjera ju lanë 10 vjet me të njëjtën uniformë”, - theksoi Rama.

Por në mesin e ngjarjeve jo të këndshme për mazhorancën, siç ishte arrestimi i dy ish-deputetëve të Partisë Socialiste, Rama nuk la pa i bërë një apel drejtorit të ri. "Tani me mend ne kokë".

Dy ditë më parë ra në pranga ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, nën akuzë për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa në një mbledhje të grupit parlamentar socialist, Rama nuk nguroi t'i quajë "drejtorë legena që po na nxijnë faqen".

Pas fjalëve të mira për drejtorin e ri të Policisë së Burgjeve, referuar eksperiencës që Bardhyl Kaçorri ka pasur edhe në poste të tjera drejtuese, Rama nuk shmangu frikën se ndoshta edhe me të diçka do të shkojë keq: "Ishalla pas ca kohesh nuk të del ndonjë gjë, e të shkruajnë pastaj, ja cfarë ka thënë kryeministri për drejtorin”

Kaçorri zëvendëson në këtë detyrë Enrik Sulejmanin, i cili u shkarkua dy javë më parë pasi nuk arriti të shoqëronte Ervis Martinin nga spitali privat drejt spitalit të burgut, duke mos respektuar kështu detyrimin ligjor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat