KLSH: Bashkia Kamëz nuk ka marrë asnjë fond nga grantet konkurruese

Shqipëria

KLSH: Bashkia Kamëz nuk ka marrë asnjë fond nga grantet konkurruese

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 11:45
KLSH

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit konfirmon se bashkive nuk u kanë kaluar kompetencat e plota, kanë marrë më pak fonde, edhe pse u zgjeruan në territor, kjo veçanërisht për ato bashki që drejtohen nga të djathtët

Njëra prej tyre, e përmendur specifikisht në këtë raport është Bashkia Kamëz. Analiza në vite e KLSH-së tregon për diferenca të theksuara në trajtimin e bashkive me transferta të kushtëzuara nga qeverisja qendrore. Bashkia Kamëz nuk ka marrë asnjë fond nga grantet konkurruese (Fondi për Zhvillimin e Rajoneve) në vitet 2015, 2016, 2017. Ky është një tregues i qartë mbi aspektin diskriminues ndaj bashkisë dhe qytetarëve të saj.

Sipas KLSH-së, në këtë konfigurim të ri, bashkitë përballen me dy sfida kryesore: Së pari, me një territor të ri e të panjohur që rezulton të jetë jashtë rrezes së zgjatimit administrativ të bashkive. Së dyti, me kompetenca të reja dhe problematike, për shkak se fondet e akorduara nuk janë proporcionale me buxhetin që realisht u duhet bashkive për t’i ushtruar sipas standardeve gjashtë funksionet e reja. Konstatohet se niveli i rritjes së shpenzimeve kapitale nuk ka ardhur si pasojë e rritjes së efiçencës së bashkive nga reforma administrative-territoriale, por ndikohet në mënyrë selektive nga fondet e akorduara nga FZHR-ja, fonde të cilat kanë munguar ose kanë qenë minimale në disa bashki të vendit, si në Lezhë, Shkodër dhe Kamëz.

“Reforma e re administrative i ka rënduar financiarisht bashkitë. Reforma ka sjellë kompetenca të reja, të cilat nuk kanë kaluar ose kanë kaluar pjesërisht te bashkitë dhe ato që kanë kaluar pjesërisht te bashkitë bazohen në një buxhet historik, që nënkupton që bashkitë e kanë të pamundur që të kryejnë investime. Këto gjashtë funksione të reja kërkojnë rreth 12 miliardë lekë shtesë në mënyrë që bashkitë t’i ushtrojnë në mënyrë të plotë dhe sipas standardeve që kërkon ligji”, - tha Redi Ametllari, auditues i KLSH-së.

Bashkive u kaloi në kompetencë arsimi parashkollor ku, në fakt, emërimin e edukatorëve e bën Ministria e Arsimit, ndërsa godinat i rikonstrukturon bashkia si kompetencë e pashoqëruar me fonde nga Ministria; i kaluan zjarrfikëset, por vetëm për të ofruar shërbime dhe jo për të investuar për makinat apo shtimin e numrit të punonjësve dhe në rastin e Kamzës s’ka as zjarrfikëse, as fonde. Reforma e re territoriale pritej të rriste autonominë vendore, por në fakt ka ndodhur e kundërta, pasi edhe për vjeljen e disa taksave apo tarifave ndërhyn pushteti qendror. Fondet që u akordohen bashkive nuk kanë si kriter numrin e popullsisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat