Varrim me thirrje antishqiptare, “Shqiptarë, largohuni! Kjo është Greqi”

Shqipëria

Varrim me thirrje antishqiptare, “Shqiptarë, largohuni! Kjo është Greqi”

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 13:43
Bularat

(E plotësuar) - Herët në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës erdhën autobusët dhe automjetet që sillnin personat që do të merrnin pjesë në ceremoninë e varrimit të Kostandin Kacifas.

Policia shqiptare ka kontrolluar pothuajse të gjitha mjetet dhe ka kthyer mbrapsht disa persona që mbanin me vete simbole iredentiste.

Me pelegrinët ishte edhe eurodeputetja qipriote e njohur për qëndrimet e saj ndaj shqiptarëve.

Në Bularat u mblodhën të gjithë dhe ata qëndronin në sheshin kryesor dhe pranë banesës së Kacifas. Përveç flamujve grekë të vendosur në çdo rrugë, u shfaqën edhe simbole iredentiste, jo vetëm për të ashtuquajturin Vorio Epir, por edhe për Maqedoninë.

Pas ceremonisë fetare, turma e të ardhurve nga Greqia ka shoqëruar arkëmortin e Kacifas me këngë nacionaliste dhe thirrje antishqiptare.

Turma shpalosi edhe një flamur të madh ku shkruhet Vorio Epir, ndërsa degjoheshin edhe thirrjet “Shqiptarë, largohuni! Kjo është Greqi”.

Kostandin Kacifas u vra nga forca elitë RENEA pas disa orësh rrethim, ditën kur në Bularat do të kujtohej “JO”-ja greke e Luftës së Dytë Botërore. Kacifas, me armë në dorë, qëlloi mbi policinë shqiptare. Kjo ngjarje u komentua në të gjitha ekstremitetet e saj, ndërsa po shfrytëzohet për t’i dhënë më shumë jetë tensioneve etnike të cilat Athina dhe Tirana zyrtare po mundohet t’i zbusin.

Ministria e Jashtme greke dhe ajo e Mbrojtjes, para ceremonisë së varrimit, i bënë thirrje qytetarëve grekë që kishin shkuar në Gjirokastër për vetëpërmbajtje.

Manifestim nacionalist në varrimin e Kacifas, në Bularat ka ekstremistë të Agimit të Artë

Në qendër të Bularatit është shpalosur një flamur i madh grek dhe bëhen thirrje nacionaliste, ndërkohë që trupi i Kostandinos Kacifas po shkon drejt kishës për ceremoninë mortore.

Kortezhi mortor mban në duar flamuj grekë dhe bëjnë thirrje për Vorio Epir.

Në Kakavijë ndalohen personat me simbole iredentiste, por në Bularat ka ekstremistë të Agimit të Artë

Shtetasit grekë që kanë mbërritur në Bularat kanë bërë thirrje në kor “Maqedonia është Greqi” dhe “Kostandin, ti je gjallë”.

Ka pasur edhe këngë greke nacionaliste si dhe është kënduar himni grek.

Image

Në 14:00 do të zhvillohet ceremonia e varrimit e Kacifas. Nga burime zyrtare të policisë thuhet se janë kthyer 8 shtetas grekë. Gjatë kontrollit të imtësishëm është parë se ata mbanin flamuj të Vorio Epirit. Ka dyshime për persona që konsiderohen ekstremistë të Agimit të Artë, por janë lejuar që të hyjnë pasi nuk mbanin asgjë të dyshimtë me vete.

Sot kanë ardhur në Bularat 11 autobusë me grekë, pas thirrjeve në rrjetet sociale, aty ku konsiderohet si hero.

Gazetarët shqiptarë nuk janë lejuar të filmojnë në prani të banesës së Kostandinos Kacifas. Shtëpia e Kacifas është 8 minuta larg qendrës dhe është kthyer në një vend pelegrinazhi.

Nisin thirrjet nacionaliste në Bularat: Vorio Epiri është grek!

Shtetasit grekë që kanë mbërritur në Bularat për ceremoninë e varrimit të Kostandinos Kacifas po bëjnë thirrje për 35-vjeçarin që e konsiderojnë hero dhe për Vorio Epirin.

Fluksi i grekëve që po hyjnë në territorin shqiptar për të qenë pjesë e ceremonisë mortore të Kacifas është i madh.

Mësohet se radha në territorin grek arrin deri në 3 km, ndërkohë që po kryen kontrolle fizike mbi çdo person.

Sot, në Bularat të Gjirokastrës do të zhvillohet ceremonia e varrimit të 35-vjeçarit Kostandinos Kacifas, i cili mbeti i vrarë 10 ditë më parë nga RENEA, pasi qëlloi mbi forcat e policisë dhe nuk iu bind thirrjes për t’u dorëzuar.

Ngjarja ka sjellë shumë reagime në Tiranë dhe veçanërisht në Athinë dhe sot, në ceremoninë e varrimit do të jenë me dhjetëra grekë dhe minoritarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat